2006-06-19 19:51:19

Në audiencë tek Papa, ipeshkvijtë lituanë e letonë, në vizitë “ad Limina”


(19.6.2006 R.V.)Të dy vendet kanë të njëjtën të kaluara dramatike dhe i kanë ngulur sytë plot shpresë nga Bashkimi Evropian, në të cilin bëjnë pjesë duke nisur nga viti 2004. Themelor roli i Kishës, e cila ka qenë gjithnjë pranë e përkrah popullit, posaçërisht në çastet e vështira të sundimit sovjetik.
Të dy kombet i lidh dëshmia e një dashurie të pasionuar për lirinë fetare: Lituania e Letonia e kanë provuar njëlloj shtypjen e regjimit sovjetik dhe, së bashku, më 1991, fituan pavarësinë. Në vitet më të errta të historisë, Kisha mbrojti identitetin e dy republikave baltike nga përpjekjet e Kremlinit për rusifikimin e tyre. Të shumtë janë meshtarët e regulltarët që e paguan me jetë besnikërinë ndaj Krishtit e njeriut në vitet e sundimit të imperializmit sovjetik.
Lituania, me sipërfaqe sa një e pesta e Italisë, ka 3 milionë e 400 mijë banorë. Prej tyre, 80% janë katolikë. Ungjillëzimi i vendit nisi që në vitin e largët 1387 përmes veprimtarisë të Dukës së Madh Jagellone dhe kushëririt të tij, Aleksandrit. Selia e Shenjtë lidhi marrëdhënie diplomatike me Lituaninë në vitin 1992 e, më 1987, me rastin e 600-vjetorit të krishterizimit të Lituanisë, Gjon Pali II kremtoi një Meshë, për t’i shprehur afërsinë e tij besimtarëve të vendit baltik.
Pak më e vogël se Lituania, Letonia ka 2, 5 milionë banorë, 29 % e të cilëve, me etni ruse. Shumica e letonëve janë protestantë të fesë evangjelike. Katolikë janë vetëm 20%. Edhe letonët jetuan dramën e pushtimit sovjetik dhe, si lituanët, fituan pavarësinë në vitin 1991. Dy vjet para kësaj ngjarjeje, një zinxhir i paharrueshëm njerëzor prej dy milion lituanësh, letonësh dhe estonësh patën dëshmuar paqësisht dashurinë e popujve baltikë për lirinë.







All the contents on this site are copyrighted ©.