2006-06-19 19:29:45

Lajme shoqërore-politike: 19 qershor


(19.6.2006 R.V.)Prokurori i përgjithshëm irakian Xhafar al Musaui i kërkoi gjykatës të japë dënime me vdekje për Sadam Hyseinin, Barzan Ibrahim Al Tikritin dhe zëvendëspresidentin Taha Tasin Ramadan sepse “kanë shkaktuar vuajtje mbi tokë” dhe sepse janë “përgjegjës për të gjitha krimet e kryera në Duzhail.” Ndërkaq në gjithë vendin vijojnë atentatet.


Qeveria palestineze e Hamasit është e gatshme të zhvillojë bisedime pa kushte me katërshen SHBA, Rusi, BE dhe OKB përmbi mënyrat e lëvrimit të ndihmave ekonomike për popullin palestinez. Lajmi u bë i njohur nga zëdhënësi i qeverisë së Hamasit Ghazi Hamad. Po sot Jaser Rabo, ndihmës i presidentit Mahmud Abas bëri thirrje për formimin e një qeverie të re palestineze që të njihet nga SHBA dhe BE-ian.


Orë vendimtare për Burundin. Pas 13 vjetësh luftë civile, qeveria dhe forcat kombëtare çlirimtare fiilluan bisedimet për të arritur një armëpushim brenda dy javësh. Dje palët ndërluftuese nënshkruan një dokument që i hapë udhë fundit të konfliktit, i cili deri tani i ka kushtuar këtij vendi 300 mijë të vrarë.


Lajmi se Korea e Veriut po përgatitet të provojë një rakete bërthamore me rreze të gjatë po krijon shqetësim në botë, veçanërisht në SHBA-ës. Shtëpia e Bardhë ftoi qeverinë koreanoveriore të respektojë moratoriumin për këto lloj provash duke i kujtuar se prova e raketës bërthamore në gusht të 1998-ës shkaktoi një krizë ndërkombëtare.


Presidenti iranian Ahmadinexhad ka filluar të përdorë tone më të zbutura në lidhje me programin bërthamor të vendit të tij. “Mbrojmë të drejtat e Iranit në mënyrë të vendosur por duke arsyetuar dhe u menduar”, deklaroi presidenti Ahmadinexhad pas takimit me ajatollah Khamenein.


Gjatë seancës së paradites së sotme Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 120 vota aktin normativ për njohjen e sovranitetit të Malit të Zi pas referendumit të majit. Me miratimin e këtij akti, është detyrë e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë vendosja e marrëdhënieve diplomatike me këtë shtet. Shenjë tjetër pozitive e raporteve të mira ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi është edhe inaugurimi i linjës së re të transportit ujor Ura e Bunës, Shkodër —Vir Pazar.


Kryeministri i Kosovës Agim Çeku deklaroi për mjetet e informimit se në Këshillin e Sigurimit të OKB-së do të mbrojë bindjen se Kosova i ka të gjitha mundësitë për vetëqeverisje dhe se është plotësisht e aftë të krijojë shtet. Ndër tjera kryeministri Çeku shtoi edhe se asnjë rrezik real nuk i kërcënohet as Kosovës dhe as banorëve të saj.


Në dokumentin final miratuar në takimin e nivelit të lartë të vendeve të BE-ian, mbajtur në Bruksel, i është kushtuar një vëmendje e veçantë çështjes së vizave për shtetasit e Ballkanit perëndimor, ku hyn edhe Shqipëria. “Këshilli i BE-ian është i vetëdijshëm për rëndësinë e liberalizimit të vizave për banorët e këtij rajoni dhe shpreson se mandatet negociuese të miratohen brenda këtij viti, në mënyrë që vetë negociatat të mbyllen deri në fund të 2007-ës.” thuhet në këtë dokument.







All the contents on this site are copyrighted ©.