Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Korpit e Gjakut të Krishtit (Leximet
biblike nga: Dal 24,3-8; Ps 116(115); Heb 9,11-15; Mk 14,12-16.22-26)
(17.6.06. R.V.)Ja përsëri në takimin
javor të shtunës me Fjalën e Zotit të liturgjisë hyjnore të së dielës. Kësaj here
do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku Fjalën e Zotit të festës së solemnitetit të
Korpit e Gjakut të Krishtit. Festa e Korpit të Krishtit është mister i pakapshëm
për mendjen njerëzore që nuk ndirçohet nga feja, që nuk frymëzohet e gjallërohet nga
dashuria e Krishtit. Kjo festë na kujton Sakramentin, në të cilin Krishti na la gjithë
vetveten: korp e gjak, shpirt e hyjni. Prandaj edhe është konsideruar gjithnjë si
më i shenjti ndër sakramente. I Shenjtueshmi Sakrament, kujtesë e gjallë e flijimit
të Krishtit Shëlbues, themeluar atë të Enjte të cilën e quajmë të Shenjtë e të Madhe,
kur Shpëtimtari i njerëzimit, kremtoi Pashkët e tij të fundit me apostujt e vet: ishte
Darka e Mbrame, përmbushje e darkës së Pashkëve hebraike dhe përurim i ritit eukaristik. Në
Euakristinë Shenjte, Jezusi vëretetë dhuron Korpin e Gjakun e tij, bëhet Bukë e gjallë,
ushqim i pashterrshëm për të gjithë shekujt. Eukaristia, themeluar nga Jezu Krishti
në Darkën e Mbrame me apsotujt, është Sakramenti intim, familjar, prandaj në Kishën
e lashtë, kur jepej kungimi, shqiptoheshin fjalët: “sancat sanctis – dhuratë shenjte
për shenjtorët”. Kështu, “secili më parë të shqyrtojë mirë vetveten e pastaj të hajë
nga kjo bukë e të pijë nga ky kelk!”. Megjithëse Eukaristia është forcë e cila shkon
përtej mireve të Kishave tona, sepse në këtë sakrament Zoti është gjithnjë për udhë,
drejt botës, udhëve të njerëzimit. Për këte Fjala e Zotit e kësaj feste na thërret
të bëhemi rrugë e Krishtit që përshkon botën me dritën e Tij Jetëdhënëse. Në Bukën
Eukaristike ne bashkohemi me Krishtin, e lemë veten të depërtohemi, të përshkohemi
nga Ai që është Zot, Krijues, Shëlbues. Jeta jonë shkrihet me të Tijën, shndërrohet
në jetën e Tij, që është dashuri e gjallë. Kështu Adhurimi Eukaristik bëhet pjesë
e domosdoshme për t’u bashkuar përherë e më tepër me Të. Kjo festë na flet me një
gjuhë të mbinatyrshme, të vështirë për mendjen tonë njerëzore, e cila mbetet si e
mundur nga misteri. Prandaj për t’i zbuluar thellësitë mahnitëse të pranisë së Krishtit
në trajten e bukës e të vërës, duhet pasur fe të gjallë, apo më mirë lypet feja e
gjallëruar nga dashuria. Vetëm kush beson e kush dashuron, mund të kuptojë paksa nga
ky mister i paganueshëm i fesë së krishterë, falë të cilit Zoti bëhet i afërt me vogëlsinë
tonë njerëzore, kërkon lumturinë tonë, na tregon se Ai është dashuria e pakufishme
që dhuron jetën e pavdekshme. “ Ky është Korpi im, ky është Gjaku im”: këto fjalë
i dëgjojmë çdo herë që kremtojmë Meshën Shenjte, Eukaristinë, dmth. përkujtimin e
Besëlidhjes së Re e të Amshuar që Zoti ka vendosur me njerëzimin nëpër Birin e vet
Jezu Krishtin, për shëlbimin (shpëtimin) e mbarë botës. Pra, në misterin e shenjtë
të Korpit e Gjakut të Jezus Krishtit, Zoti i jep njerëzimit dhuratën e jetës, të
bashkimit dhe të paqes. Në Sakramentin e Eukaristisëm që është burim e kult i çdo
shenjtërie, i çdo fuqie shpirtërore, besimtarët e adhurojnë Zotin dhe shpallin ladvinë
e Tij të përjetshme.