2006-06-16 18:44:20

Lajme shoqërore-politike: 16 qershor


(16.6.2006 R.V.) RealAudioMP3 Sot në ditën e dytë të vizitës zyrtare që po zhvillon në Kosovë, kryeministri Sali Berisha vizitoi Prekazin, ndërsa Bashkia e Prishtinës e shpalli kryeministrin e Shqipërisë qytetar nderi. Më hollësisht nga Prishtina na informon korrespondentja jonë Rabije Ibraj...


Në mbledhjen e radhës në Bruksel, 25 kryeministrat e BE-ian vendosën të zgjerojnë zonën “euro”. Kështu, duke filluar nga janari i 2007-ës monedha në qarkullim në Slloveni do të jetë euroja, ndërsa Lituania duhet të presë derisa çmimet e mallrave në këtë vend të mos kenë luhatje. Po ashtu qeveritë e BE-ian u treguan të gatshme t’i japin Autoritetit Kombëtar Palestinez një ndihmë prej 100 milionë eurosh.


Një tjetër atentat në xhamitë e Bagdadit. Sot një ditë pas deklaratës së qeverisë irakiane se Al Kaedës në Irak po i vjen fundi, një kamikaze u hodh në erë në xhaminë shiite Buratha duke vrarë 11 persona dhe plagosur 25. Dy muaj më parë po në këtë xhami ishin vrarë nga një shpërthim 80 vetë. Edhe këtë herë terroristët zgjodhën të premten, ditë lutjesh, për të shkaktuar tmerr.


“Nuk po përpiqemi të ndërtojmë armë bërthamore.” – tha presidenti iranian Ahmadinexhad në një konferencë për shtyp mbajtur në Pekin, ku gjendet me cilësinë e vëzhguesit të Organizatës për Bashkëpunim. Më pas presidenti iranian shtoi se propozimet për ndihma të pesë anëtarëve të përhershëm të OKB-së dhe Gjermanisë, përbëjnë “një hap përpara”, por nuk sqaroi a do të pranohen nga vendi i tij.


Dy ministrat e mbrojtjes të Sirisë dhe Iranit, Hasan Turkmani dhe Mustafa Nazhari nënshkruan sot në Damask marrëveshjen për bashkëpunim ushtarak. “Pakti ynë bazohet mbi një strategji që ka si synim mbrojtjen kundra rreziqeve të përbashkëta.”- tha për shtypin ministri sirian Turkmani.


Ministri i Mbrojtjes i Libanit Eliaz Murr njoftoi se do të padisë Izraelin pranë Këshillit të Sigurimit të OKB-së se mban një rrjet agjentësh në Liban. Agjentët izraelitë fajësohen nga Libani se me 26 majin e kaluar kanë hedhur në erë në Sidon, në jug të Libanit, një makinë ku gjendeshin dy anëtarë të Xhihadit islamik, që të dy shtetas libanezë.







All the contents on this site are copyrighted ©.