Në muajin kushtuar Zemrës së Krishtit, Benedikti XVI thekson se dashuria e krishterë
është konkrete
(15. 06. 06 R. V.)Muaji i qershorit është tradicionalisht i lidhur me devocionin
ndaj Zemrës së Krishtit: ky devocion nisi të përhapjej aty nga gjysma e dytë e 1600-tës
përmes veprës së Margeritës Maria Alakok: por rrënjët e kësaj përshpirtërie janë shumë
më të thella: fillojnë atë ças kur një ushtar romak ngulte heshtën e tij në brinjët
e Jezu Krishtit të mbërthyer në kryq, duke hapur një plagë nga e cila gurroi gjak
e ujë, gurroi dashuria plot mëshirë e Hyjit. Është, siç e thekson shpesh Benedikti
XVI, një dashuri shumë konkrete, pikërisht sepse Zoti u mishërua, u bë njeri. E Papa
edhe kohët e fundit, gjatë një takimi të dioqezës së Romës, i nxiti besimtarët të
mos kumtojnë një kristianizëm pa mish e pa gjak, pa vepra, që nuk është në gjendje
ta prekë njeriun drejt e në shpirt. Benedikti XVI na fton të zbulojmë bukurinë
dhe gëzimin e fesë, duke na treguar edhe rrugën: veprat konkrete. “Dashuria për të
afërmin – pohon Papa – është sot, më shumë se kurrë, impenjim konkret: “I krishteri
nuk kënaqet vetëm me fjalë e as me ideologji të rreme, por kujdeset ta ndihmojë vëllaun
nevojtar duke e vënë vërtetë në lojë gjithë vetveten, pa u mjaftuar vetëm me ndonjë
vepër të mirë”.Papa i nxit të gjithë besimtarët ta dëshmojnë me guxim Ungjillin
para botës së sotme, duke u çuar shpresën të varfërve, të vuajturve, të braktisurve,
të dëshpëruarve, atyre që kanë etje për lirinë, për të vërtetën, për paqen. Duke i
bërë mirë të afërmit e duke punuar për të mirën e përbashkët – nënvizon Ati i Shenjtë
– dëshmoni se Zoti është dashuri. Nuk është fjala për aktivizëm të pastër, për filantropi
të thjeshtë ose për solidaritet të zakonshëm. Në të vërtetë njeriu nuk mundet vetëm
të dhurojë, duhet edhe të marrë: duhet të vijojë gjithnjë ta shuajë etjen në atë burim,
nga i cili gurrojnë lumej uji të gjallë, dmth në Jezu Krishtin, nga zemra e shporuar
e të cilit shpërthen dashuria e Zotit. E gjithçka nis nga heshtja, nga lutja, nga
siguria se Zoti do të na dojë me një dashuri plot pasion, shumë më të madhe se pabesitë
tona.