2006-06-12 17:33:19

U publikua sot programi i shtegtimit apostolik të Benediktit XVI në Valencia të Spanjës më 8 e 9 korrikun e ardhshëm, me rastin e Takimit V botëror të familjeve


( 12. 06. 06 R. V. ) Salla e Shtypit e Vatikanit publikoi sot programin e shtegtimit të ardhshëm apostolik të Papës në Valencia. Është shtegtimi i tretë apostolik i Benediktit XVI, pas atij në Këln, në gusht të vitit 2005 për Ditën Botërore të Rinisë e atij në Poloni, në majin e kaluar.
Papa do të niset nga Fiumiçino të shtunën, më 8 korrik, në orën 9.30. Ceremonia e mirëseardhjes do të zhvillohet në orën 11. 30 në aeroportin e Valencia-Manises. Më pas Benedikti XVI do të shkojë në bazilikën kushtuar “Virgen de los desamparados” për t’i drejtuar mesazhin e vet ipeshkvijve spanjollë. Në orën 13. 30 do të thotë lutjen e Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Virgjërës. Pasdite do t’i bëjë një vizitë mirësjelljeje familjes mbretërore të Spanjës në Pallatin e Gjeneralitat dhe menjëherë pas, takimi, në Pallatin e Kryeipeshkvnisë, me kryeministrin spanjoll Josè Rodriguez Zapatero. Në orën 21. 00 do të shkojë në Qytetin e Arteve dhe të Shkencave për përfundimin e Takimit botëror të familjeve. Të dielën, më 9 korrik, do të kryesojë Meshën Shenjte, gjithnjë në Qytetin e Arteve e të Shkencave.
Benedikti XVI do të niset nga Valencia në orën 13. 30, për të arritur në areoportin romak të Çampinos rreth dy orë më vonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.