2006-06-12 19:15:51

Lajme shoqërore-politike: 12 qershor


(12/6/2006 R.V.)RealAudioMP3 Sot në Luksemburg, u nënshkrua Marrëveshja e Stabilziim-Asocimit e BE-së me Shqipërinë. Oli Rehn , komisioner i BE-ian për zgjerimin, Ursula Plasnik, Presidentja e radhës e Këshillit të Ministrave të BE-ian, si edhe të gjithë ministrat e jashtëm të shteteve që bëjnë pjesë në këtë bashkim, nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me Shqipërinë. Për palën shqiptare dokumenti u firmos nga kryeministri Sali Berisha. “Nënshkrimi i kësaj marrëveshje përbën një hap madhor përpara drejt realizimit të ëndrrës së shqiptarëve për rikthim dhe bashkim në familjen evropiane”. Kështu e vlerësoi Berisha këtë ngjarje.


Sot në Kosovë u përkujtua shtatëvjetori i përfundimit të luftës dhe i hyrjes së trupave të NATO-s pas tërheqjes së ushtrisë serbe (jugosllave). Më hollësisht nga Prishtina të ndjekim shërbimin e Rabie Ibrajt..........


Në gjithë botën sot u kremtua “Dita Botërore kundër punës të të miturve”, organizuar nga Organizata Ndërkombëtare e Punës, agjenci e specializuar nga Kombet e Bashkuara. Simboli i kësaj dite ishte 12-vjeçari Ikmal Mazih nga Pakistani, i cili i kthyer në skllav në një fabrikë qilimash, u vra në vitin 1995 ngaqë kundërshtoi pronarin. Me gjithë përpjekjet e organizatave ndërkombëtare për të luftuar këtë dukuri, prapseprap në botë ka 210 milionë të mitur që shfrytëzohen.


Ministria e Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta e Shqipërisë nëpërmjet projektit "Sistemi i Monitorimit të Punë së Fëmijëve", synon që brenda vitit 2006 të kthejë në bankat e shkollës rreth 300 fëmijë që shfrytëzohen ekonomikisht.


Pas prishjes së paqes nga ana e Hamasit, izraelitët vijojnë sulmet ajrore në territoret palestineze. Një militant i Hamasit u vra në Rripin e Gazës.
Në mikrofonin e Radio Vatikanit flet Atë Pierbattista Pizzaballa ofm.


Krahu i armatosur i Hamasit pasi prishi paqen e njëanëshme ndërmjet palestinezëve dhe izraelitëve, rifilloi sulmet me raketa Kasam kundër zonave jugore të Izraelit. Nga ana tjetër izraelitët u janë përgjegjur sulmeve duke vrarë një militant të Hamasit në Rripin e Gazës. Më hollësisht mbi zhvillimet e fundit në Tokën Shenjte flet Atë Pierbatista Picabala OFM.


Përgjegje: Eshtë një prishje që i ka rrënjët në të kaluarën. Dy lëvizjet Fatah dhe Hamas kanë qenë gjithmonë ndërmjet tyre jo armiq, por sidoqoftë kundërshtarë. Shpresohej se me zgjedhjet e reja një rrugëdalje do të gjindej, por me sa duket po shkohet gjithnjë drejt rritjes së tensionit ndërmjet këtyre dy partive.


Pyetje: Shteti i Izraelit, Rripi i Gazës në kontrollin e Hamasit dhe Cisjordania ku forca e Fatahut është ende e paprekur. A ka rrezik që të krijohen dy popuj dhe tri shtete?


Përgjegje: Ka disa që qysh tani kanë filluar të flasin për këtë. Por unë mendoj se hipoteza e dy popujve dhe e tri shteteve është objektivisht shumë e vështirë. Megjithatë ekziston rreziku që Rripi i Gazës dhe Cisjordania të ndahen nga njëri-tjetri.


Pyetje: Cilat janë, pra shpresat dhe rreziqet në këtë fazë kur kanë rifilluar sulmet ajrore izraelite dhe hedhja e raketave Kasam nga palestinezët kundër shtetit hebraik?


Përgjigje: Eshtë me të vërtetë një moment shumë i vështirë. Unë mendoj se para së gjithash, nga ana e bashkësisë ndërkombëtare nevojitet urti dhe shumë presion ndaj të dyja palëve, në mënyrë që të tregohen më të moderuara. Izraeli nuk duhet të vijojë më me këto sulme, kurse palestinezët duhet të ndërpresin hedhjen e raketave Kasam kundër shtetit hebraik. Duhet thënë edhe se Autoriteti Kombëtar Palestinez, tani, ka nevojë për burime financiare. Një nga problemet themelore, një nga faktorët që nxit tensionin është pikërisht mungesa e burimeve financiare për jetën e përditshme.


Në zona të ndryshme të Irakut gjatë 24 orëve të fundit pati 25 të vdekur, ndërsa konferenca e pajtimit kombëtar u shty për në gusht. Vendimi u mor në mënyrë që t’i jepet më shumë kohë kryeministrit Al-Maliki për t’i vënë fre dhunës që po vërshon në vend. Qeveria gjithashtu po merr në shqyrtim mundësinë e pjesëmarrjes në konferencë edhe të disa grupe rebelësh.


Komiteti ndërkombëtar i Kryqit të Kuq do të dërgojë një ekip në bazën amerikane të Guantanamos në Kubë për të vlerësuar gjendjen pas vetëvrasjes të tre të burgosurve për terrorizëm, emrat e të cilët u bënë të njohur vetëm dje nga autoritetet ushtarake amerikane. Ndërkaq edhe ushtria amerikane ka garantuar se do të hapë hetime për këto tri vetëvrasje.







All the contents on this site are copyrighted ©.