Mesazhi i Papës në funeralin e Pibirit: vdiq për paqen në Irak
( 09. 06. 06 R. V.) “Një tjetër i rënë gjatë kryerjes fisnike të detyrës në shërbim
të rendit e të sigurisë, të drejtësisë e të rikthimit të paqes për popullsitë e Irakut”
Kështu shprehet Benedikti XVI në telegramin drejtuar familjarëve të kapterit Aleksandro
Pibiri, vrarë të hënën e kaluar në Nasiri. Në mesazhin, që u lexua para se të fillonte
funerali shtetëror në bazilikën e Shën Palit jashtë mureve të Romës, Papa flet për
një jetë të re, të këputur mizorisht dhe siguron se është shpirtërisht pranë familjarëve
dhe të gjithë atyre që janë në zi për humbjen e njeriut të dashur. Në kremtimin
e kryesuar nga imzot Angelo Banjasko, kryeipeshkëv i ushtrisë për Italinë, ishin të
pranishëm presidenti i Republikës, Napoletano, autoritetet më të larta të shtetit
dhe përfaqësues të ndryshëm politikë nga mazhoranca dhe opozita. Të pranishëm edhe
familjarët e ushtarakëve italianë të plagosur në atentatin e së hënës, të cilët nuk
mund të merrnin pjesë në funeral. Por për hollësitë, të ndjekim shërbimin e Paolo
Ondarcës: “Një jetë e re e këputur mizorisht” “gjatë kryerjes fisnike të detyrës
në shërbim të rendit e të sigurisë, të drejtësisë e të rikthimit të paqes në Irak”.
Kështu e përshkruan Benedikti XVI kapterin e Brigadës Sasari, Aleksandër Pibirin,
në telegramin e nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Angjelo
Sodano, leximi i të cilit u ndoq me emocion të thellë në bazilikën e Shën Palit, të
mbushur përplot me njerëz. Arkivoli me trupin e kapterit të rënë, i mbuluar me flamurin
tringjyrësh, u prit me një roje nderi, me himnin e brigadës Sasari , ‘Dimonios’ dhe
me një duartrokitje. Pastaj u vendos në bazilikën romake nën tingujt e këngës “Kush
do të na ndajë nga dashuria e Krishtit”, me fjalët e Shën Palit nga Letra drejtuar
Romakëve. Rreth arkivolit binin në sy kurorat e shumta me lule të freskëta, vendosur
nga autoritetet më të larta shtetërore dhe nga institucionet zonale të Sardenjës.
Në lutje të heshtur, me dhimbjen e thellë që u lexohej në sytë e përlotur, familjarët
dhe miqtë e Aleksandrit do ta kujtojnë gjithnjë për guximin ushtarak, por edhe për
impenjimin e tij njerëzor e të krishterë si udhëheqës skaut e si katekist i famullisë
të Shëlbuesit në Selargjus.