2006-06-09 18:56:34

Lajme shoqërore-politike: 9 qershor:Kryeministri i ri i Irakut, Al Maliki, vendosi gjendjen e ndalimqarkullimit në Bagdad dhe në Bakubë nga ora 11 deri në oren 17, për të shmangur rreziqet e ndonjë raprezaljeje nga terroristët pas vrasjes së Al Zarkavit.


Në lidhje me vrasjen e këtij të fundit, sot udhëheqësi shpirtëror e politik i talebanëve në Afganistan mullah Omari tha se rezistenza irakiane do të vazhdojë me ose pa Al Zarkavin. Më hollësisht mbi gjendjen në Irak pas vrasjes së Al Zarkavit në mikrofonin e Radio Vatikanit flet Lorenco Kremonezi, i dërguari i posaçëm i gazetës “Il “Corriere della Sera” në Irak. Salvatore Sabatino


Përgjigje: Pas goditjeve të rënda që koalicioni i udhëhequr nga amerikanët në Irak mori vitet e fundit, duke filluar që nga deklarata e famshme e presidentit Bush për përfundimin e luftës në maj të 2003, që u përgënjeshtrua pastaj nga atentatet e rënda ndaj OKB-së dhe Kryqit të Kuq në muajt e mëvonshëm, është e qartë se duhet të jemi tepër të matur. Amerikanët e dinë mirë se Al Zarkavi ka luajtur një rol vendimtar – kryesor - do të thosha në lëvizjen guerrilase, në destabilizimin e Irakut, në paralizimin e procesit të demokratizimit të këtij vendi. Por vrasja e Al Zarkavit nuk e ndryshon gjendjen reale. Atentatet do të vazhdojnë, edhe përleshjet ndëretnike, ndërfetare do të vijojnë. Al Zarkavi vdiq por mbasi kishte patur sukses në misionin e tij, domethënë në krijimin e një vorbulle të një dhune të veçantë.


Pyetje: Kjo është një luftë që luftohet edhe nga këndvështrimi i mjeteve të informimit. Nuk ka rrezik sipas teje që Al Zarkavi të shndërrohet në një martir të rënë në betejë?


Përgjigje: Më shumë se propagandë terroristësh, unë do të thoja se propaganda është fryt i një efekti çoroditës të mjeteve perëndimore të informimit, të cilat janë gjithnjë të prirura të kërkojnë një individ për të dhënë shpjegime më të kuptueshme e më të lehta për publikun. Al Zarkavi, sikurse në një farë mase edhe Bin Ladeni, është shndërruar nga ne. Para do kohësh amerikanët mbrritën deri aty sa të pohojnë se edhe sikur Bin Ladeni të kapej apo të vritej, asgjë ose pothuajse asnjë nuk do të ndryshonte përsa i përket kërcënimit të terrorizmit!






Bisedimet e fundit në Oslo ndërmjet përfaqësuesve të qeverisë së Sri Lankës dhe rebelëve Tamil, dështuan. Lajmi u konfirmua nga ndërmjetësuesit norvegjezë. Gjithashtu qeveria norvegjeze deklaroi se do ta marrë edhe një herë në shqyrtim rolin e saj si ndërmjetësuese në këto bisedime për paqë.


Një tjetër ditë e mbushur me tmerre në Dili, kryeqytet i Timorit Lindor. Banda rebelësh vazhdojnë të qarkullojnë të lira duke i kallur datën popullsisë së pambrojtur. Edhe pse kanë kaluar dy javë nga mbrritja e ushtarëve australianë të forcave shumëkombëshme, sulmet e rebelëve nuk kanë reshtur ende.


Në qytetin Çirze të Turqisë juglindore një fëmijë mbeti i vrarë nga shpërthimi i një bombe. Njoftimin e dha seksioni turk i CNN-nit duke saktësuar se atentati u krye afër një qendre të shërbimeve sekrete turke.


Kryetari i forcave speciale ruse në Ingusheti, Musa Nalgiev u vra nga një bombë së bashku me tre të bijtë dhe dy truproja në qytetin e Karabullakut. Atentati u krye nga njerëz deri tani të paidentifikuar. Nalgievi komandonte njësitë speciale të Ministrisë së Brendshme të angazhuara në luftën kundër terroristëve çeçenë.


Asamblea e Përgjithshme e OKB-së zgjodhi për herë të parë në presidencë një grua myslimane, Haja Al Rashid Al Khalifa, avokate nga Bahreini dhe eksperte në çështjet e familjes. Al Khalifa do të zëvendësojë suedezin Jan Eliasson.








All the contents on this site are copyrighted ©.