2006-06-08 18:49:19

Lajme shoqërore-politike: 8 qershor


(8/6/2006 R.V.)RealAudioMP3 Terroristi jordanez Al Zarkavi, udhëheqësi i Al Kaedës në Irak, u vra gjatë një operacioni ushtarak amerikan dje pasdite, në afërsi të Bakubës. Lajmin e dha i pari kryeministri i Irakut Al Maliki. Gjithashtu edhe Al Kaeda me një komunikatë për televizionin shtetëror egjiptian e pranoi se kryetari i saj mbeti i vrarë dje gjatë një bombardimi të amerikanëve.
Lajmi u konfirmua edhe nga Shtëpia e Bardhë. Duke folur në një konferencë për shtyp presidenti amerikan Xhorxh Bush, tha se Al Zarkavit i erdhi fundi. “Vdekja e tij i jep Irakut një shans të ri për të ndryshuar rrjedhën e luftës kundra terrorizmit. Ideologjia e terrorit humbi një nga udhëheqësit e saj më të dukshëm dhe agresivë. Vdekja e Zarkavit është një goditje e rëndë për Al Kaedën”- shtoi ndërmjet tjerash presidenti Bush.
Sidoqoftë pa kaluar veçse pak minuta, në muret e xhamive të Ramadit u shfaqën afishe ku lexohej se një tjetër do t’i zërë vendin Al Zarkavit si kryetar i Al Kaedës.
Përveç vrasjes së Al Zarkavit dita e sotme në Irak ishte e shënuar edhe pse qeveria e re e Al Malikit mori miratimin e parlamentit. Kështu, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të para demokratike në vend, Iraku ka një qeveri demokratike.
Po, sa do të ndikojë vrasja e Al Zarkavit në aksionet e guerrilasve irakianë? Përgjigjet Guido Olimpio, ekspert i terrorizmit i gazetës “Il Corriere della Sera”


Përgjigje: Përsa i përket guerriljes nacionaliste irakiane, nuk ndryshon asgjë, në kuptimin që guerrilja ka kohë që vepron sipas llogarisë së vet, ka një program të vetin, një lëvizje të vetën, madje kohët e fundit ka patur edhe mosmarrëveshje me Al Zarkavin. Është më interesante të dihet se çfarë do të ndodhë tani brenda lëvizjes xhihadiste. Në përgjithësi këto grupe janë shumë të afta që të riorganizohen e të emërojnë një kryetar të ri, që fatkeqësisht e në mënyrë të pashmangëshme duhet të bëjë emër me masakra të reja. Nuk është e lehtë të zëvendësosh një si Al Zarkavi, jo aq në vështrimin ushtarak sa si figurë dhe si simbol.

Pyetje: Po në brendësi të Al Kaedës?


Përgjigje: Nuk jam i mendimit se rrjeti i i terrorizmit do të ketë goditje të mëdha. Al Kaeda është mësuar t’i humbasë udhëheqësit e vet. Do të kërkojë masakra të reja për të treguar se është gjallë. Por nuk mundem të përjashtoj faktin se brenda saj ka mosmarrëveshje, kontraste, përçarje, të cilat madje kanë lënë edhe gjurmë në historinë e Al Kaedës në Irak.

Pyetje: Si do të kujtohet Al Zarkavi në strategjinë e luftës kundër terrorizmi?


Përgjigje: Do të kujtohet si prerës kokash, si një gjaksor, si një terrorist që futi në botë një mënyrë të tmerrshme luftimi, si një që për fat të keq po imitohet nga të tjerë. Por kam frikë se mos ndonjë do të na bëjë ta harrojmë me veprime edhe më gjakësore e më të bujshme [se ato të tijat].



Kryeministri izraelit Ehud Olmert u prit sot në Aman nga mbreti i Jordanisë, Abdullahu II. Pas takimit, që zgjati një orë, kryeministri Olmert deklaroi se brenda muajit qershor do të takohet edhe me presidentin palestinez Abu Mazen. Ndërsa mbreti Abdullah përsëriti se zgjidhja e problemit të Palestinës do të arrihet vetëm me bisedime dypalëshe ndërmjet Tel-Avivit dhe Autoritetit Kombëtar Palestinez.


Një delegacion i qeverisë së Somalisë mbërriti në Mogadishu për të hapur bisedimet me rebelët islamikë, të cilët ditët e fundit pushtuan edhe kryeqytetin e vendit. Megjithëse trupat ushtarake qeveritare po u kundërpërgjigjen rebelëve, gjendja nuk ka pësuar ndryshime rrënjësore.


Parlamenti leton dha pëlqimin e vet për publikimin e emrave të rreth 4 mijë të dyshuarve si ish-agjentë të KGB-së. Vendimi i parlamentit u miratua me 59 vota pro dhe 18 kundra. Emrat do të botohen nga gazeta zyrtare letone me 1 nëntor të këtij viti.







All the contents on this site are copyrighted ©.