2006-06-08 17:40:42

Ja programi i Takimit V Botëror të Familjeve, që do të kremtohet në Valencia të Spanjës nga data 1 deri më 10 korrikun e ardhshëm


( 08. 06. 06 R. V. ) Ndër nismat më të rëndësishme, kujtojmë disa veprimtari kushtuar të rinjve dhe një festë me dëshmi feje, në të cilën do të marrin pjesë artistë të njohur nga vende të ndryshme të botës.
Transmetimi i fesë në familje” – kjo është parulla e kësaj ngjarjeje të madhe, gjatë zhvillimit të së cilës, siç njofton agjensia Fides, do të organizohet Panairi Ndërkombëtar i Familjes, Kongresi Ndërkombëtar Teologjik- Baritor dhe Nata e lutjes me dëshmitë e disa familjeve, pas së cilës do të kremtohet Mesha përfundimtare. Dy kremtimet e fundit do të kryesohen nga Benedikti XVI i cili, sipas parashikimit, do të arrijë në Valencia më 8 korrikun e ardhshëm.
Në Panairin Ndërkombëtar të Familjes, nga 1 deri më 7 korrik, do të marrin pjesë ndërmarrje, shoqata dhe ONG (Organizata jo qeveritare) që punojnë në favor të familjes në mbarë botën.
Kongresi Ndërkombëtar Teologjiko-Baritor, që do të mbahet nga 4 deri më 7 korrik, do të ketë në qëndër të vëmendjes disa tema të veçanta për familjen e në mënyrë të posaçme, transmetimin e fesë në vatrën familjare në aspekte nga më të ndryshmet. Parashikohet edhe pjesëmarrja e 29 kardinajve nga 25 vende të botës si edhe e disa përfaqësuesve të Kishës ortodokse greke, ruse e rumune. Rinisë do t’i kushtohet takimi “Të rinjtë, familja e transmetimi i fesë”, gjatë të cilit do të preken problemet më të mprehta që kanë të bëjnë me moshën rinore në kohët tona, si puna, detyrat që burojnë nga martesa dhe liria fetare në botën universitare, politike e punëtore.
Takimin do ta përurojë kardinali Alfonso López Truhiljo, kryetar i Këshillit Papnor për Familjen, ndërsa do ta kryesojë kryeipeshkvi i Valencies, imzot Agustin García-Gasco.
“Gjyshërit dhe transmetimi i fesë” dhe “Gjyshërit e familja” do të jenë temat kryesore të takimit të tretë, që do të mbahet të mërkurën, më 5 dhe të enjten më 6 korrik, kushtuar figurës së gjyshërve në vatrën familjare.
Të premten, më 7 korrik në orën 20. 30, në Shetitoren Detare të Plazhit në Malvarroza, do të kremtohet Rruzarja e Familjeve. Do të marrin pjesë më se 40 fëmijë, të cilët do të dramatizojnë Misteret.
Po në Valencia, të shtunën, më 8 korrik, duke filluar nga ora 21. 00, do të gërshetohen dëshmitë e disa familjeve, ardhur nga mbarë bota, me shfaqje artistiko-kulturore të artistëve me famë botërore.








All the contents on this site are copyrighted ©.