2006-06-07 18:30:35

Në audiencën e përgjithshme, Benedikti XVI pohoi: paria e Pjetrit është baza e unitetit të Kishës dhe e dialogut ekumenik


(07. 06. 06 R. V. )RealAudioMP3 Sot, në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Benedikti XVI foli për vazhdimësinë apostolike dhe pohoi se paria e Pjetrit është baza e unitetit të Kishës dhe e dialogut ekumenik.
“Të lutemi që paria e Pjetrit, e cila u është besuar personave të varfër njerëzor, të ushtrohet gjithnjë me domethënien e zanafillës, ashtu si e deshi vetë Zoti dhe të pranohet në kuptimin e saj të vërtetë nga vëllezërit që nuk janë bashkuar ende plotësisht me ne”. Këtë uroi Benedikti XVI në përfundim të katekizmit në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, kushtuar përsëri figurës së Prijësit të Apostujve.
Paria papnore të ushtrohet në vërtetësinë e thelbit të vet, për të përforcuar vëllezërit në fe e për të gjallëruar ndjenjën e mirëpritjes e të respektit ndërmjet anëtarëve të konfesioneve të tjera të krishtera: - ky ishte komenti përfundimtar që bëri Benedikti XVI në audiencën e sotme të përgjithshme, duke aktualizuar epërsinë dymijëvjeçare, ushtruar nga papët në bashkësinë e besimtarëve. Këtë epërsi, për të cilën na flet Ungjilli, e deshi vetë Jezusi – nënvizoi Papa dhe shtoi se, megjithkëtë, të krishterët e kohëve tona nuk e vlerësojnë si duhet rëndësinë e saj reale.
“Ti je Pjetër” – “Ti je Shkëmb”! Themelimi i vazhdimësisë apostolike – shpjegoi Benedikti XVI në fillim të audiencës - nis me një ndërrim emri. Jezusi, duke e zgjedhur Simon peshkatarin të parë ndërmjet nxënësve, vendos ta quajë “Kefa”, që do të thotë “Shkëmb”. Këtë do ta bënte vetëm me të e ky emër “Pjetër” do të merrte një rëndësi aq të veçantë, sa do ta zevendësonte plotësisht emrin fillestar. Kjo fiton një vlerë të veçantë – vërejti Papa – në se kemi parasysh se në Besëlidhjen e Vjetër, kur një njeriu i ndërrohet emri, do të thotë se do t’i besohet një mision. E gjatë gjithë jetës së Jezusit, siç e mësojmë nga Ungjijtë, episode të shumta na bindin për këtë parapëlqim – shpjegoi Papa dhe në vijim kujtoi disa nga këto episode - që nga Shndërrimi i Jezusit - tek larja e këmbëve në Darkën e Mbrame. E edhe vetë Pjetri është i vetëdijshëm për këtë rol të veçantë:
Në mënyrë të posaçme, është ai që zgjidh disa situata të vështira duke ndërhyrë në emër të të gjithëve. Kështu, kur Jezusi, shumë i hidhëruar për shkak të moskuptimit të turmës, pasi ka folur për ‘bukën e jetës’, pyet: ‘Dëshironi të shkoni edhe juve?’, përgjigja e Pjetrit është e prerë: “Zot, e te kush të shkojmë? Ti ke fjalët e jetës së pasosur’. Njëlloj është dëshmimi i fesë që bën ai, gjithnjë në emër të të dymbëdhjetëve, pranë Çezaresë së Filipit. Jezusit, që pyet: “Ju, kush thoni se jam unë?”, Pjetri i përgjigjet: “Ti je Krishti, Biri i Zotit të gjallë”.
Edhe pas Ngjalljes - vijoi Benedikti XVI, vendi i parë që zë Pjetri nuk ndryshon. Ai është i pari Apostull të cilit i duket Jezusi, i pari që hyn në varrin e zbrazët. E është ai që, në Konçilin e Jeruzalemit, 49 vjet pas vdekjes së Krishtit, kryen detyrën e prijësit në bashkësi. Ky rol nuk ka ndryshuar në rrjedhë të shekujve - theksoi Benedikti XVI – i cili në vijim reflektoi, jo pa një farë shqetësimi, mbi madhështinë e ministerit, për kryerjen e të cilit është thirrur, duke i ftuar besimtarët ta mbështesin shpirtërisht.
Pjetri, për të gjitha kohët, duhet të jetë rojtar i bashkimit me Krishtin. Ai ka pergjegjësinë të garantojë kështu bashkimin me Krishtin, me dashurinë e Krishtit. E edhe të prijë për realizimin e kësaj dashurie në jetën e përditshme. Të lutemi që paria e Pjetrit besuar personave të varfër njerëzor, të ushtrohet gjithnjë në këtë kuptim të zanafillës, që e desh vetë Zoti, e të pranohet gjithnjë më shumë, në kuptimin e saj të vërtetë, nga vëllezërit që nuk janë akoma në bashkim të plotë me ne”.
Të shumta përshëndetjet e Benediktit XVI drejtuar grupeve të pranishme në Sheshin e Shën Pjetrit, që sot ishte i mbuluar nga retë. Po kujtojmë përshëndetjen që Papa u drejtoi besimtarëve të dioqezës së Mantovës dhe dy instituteve rregulltare: familjes Monfortane – të cilën e nxiti të vijojë me bujari misionin në shërbim të Mbretërisë së Hyjit - dhe Motrave Françeskane të Zojës së Papërlyer, të cilat vijojnë Kapitullin e tyre të përgjithshëm. E më pas, një mendim solidariteti drejtuar një grupi shtegtarësh, ende në zi për të dashurit e humbur gjatë një aksidenti ajror:
“Një përshëndetje të përzemërt u drejtoj familjeve pulieze, të vëna në provë nga aksidenti ajror që ndodhi në det të hapur pranë Palermos dhe i nxis të gjithë t’i vijojnë nismat e ndihmës reciproke e ta jetojnë fenë së bashku”.
Në përfundim të audiencës, Benedikti XVI ndezi “Pishtarin e Paqes”, simbol i shtegtimit tradicional Maçerata- Loreto, që do të organizohet për herë të 28-të më 10 qershorin e ardhshëm. Papa bekoi flakën, të cilën e solli një i ri, gjest që e pati bërë për herë të parë Gjon Pali II, për ta përsëritur pastaj çdo vit, duke filluar nga qershori i 1998-ës.







All the contents on this site are copyrighted ©.