2006-06-05 17:07:14

Papa peruroi punimet e Kuvendit te dioqezes se Rome ne Baziliken e Shen Gjonit ne Lateran - Rome me temen:Gëzimi i fesë dhe edukimi i brezave të ri”.


(05.06.06. R.V.) Sonte, në ora 19.45 Papa Benedikti XVI hapi punimet triditore të Kuvendit kishtar të dioqezës së Romës, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran. Tema e këtij Kuvendi, në të cilin kleri bashkë më laikë, do të hartojnë programin baritor për vitin e ardhshëm, është: “Gëzimi i fesë dhe edukimi i brezave të ri”.
Po kujtojmë për dëgjuesit tanë, se Papa është ipeshkëv i dioqezës së Romës e këndej si Bari Shpirtëror nuk deshti të mungonte në momentin e reflektimit e të organizimit të veprimtarisë ungjillëzuese të grigjës së Kishës në Romë.
Në tri vitet e kaluara, vëmendja baritore e dioqezës së Romës ka qenë përqendruar mbi të martuarit dhe prindërit. Tani, brenda familjes, dioqeza dëshiron të përkujdesën nga afër për botën e fëmijëve, të rinjvet, për të cilët gjatë këtyre tri ditëve do të studiohen marrëdhënien e tyre që kanë me familjen, me bashkësinë famullitare, me Kishën, me shkollën, universitetin dhe me punën. Synimi është që të rinjtë të ndihmohen në krijimin e kushteve në mënyrë që ata, nesër, të mund të jenë krishterë të rritur e të ndërgjegjshëm.
Edhe Papa Benedikti XVI posa është zgjedhur në udhëheqje të Kishës, menjëherë ka kërkuar dhe ka gjetur një dialog të frytshëm me të rinjtë. Ati i Shenjtë Racinger është një Papë që kërkon shumë, sikurse edhe Gjon Pali II. Po si shikohet kjo marrëdhënie e Papës teolog me të rinjtë e mijëvjeçarit të tretë, ta dëgjojmë mendimin e kryeipeshkëvit imzot Luigi Morettit, ndihmës-vikar i Papës për dioqezën e Romës:
“ E shoh si mësues që, duke thënë fjalë të Vërteta, jepë pika të rëndësishme referimi për ta. Besoj se ka një problem në botën e sotme rinore dhe është përhumbje, disorientimi e këndej të kesh pika të sakta referimi që të tregojnë se cila është udha për ta ndjekur Krishtin, mendoj se është vërtetë një shërbim i madh që Ati i Shenjtë bën për mbarë botën e të rinjve. Jam i bindur se të rinjtë, sidomos ata që janë më të vëmendshëm e të ndjeshëm, janë mirënjohes për këte”.








All the contents on this site are copyrighted ©.