2006-06-05 17:55:16

Kalendari kishtar sot më 5 qershor, kremton Shën Pjetërin e Korishës, Oshënar, nga Kosova.


(05.06.06.R.V.)Pjetri është me prejardhje nga fshati Ujëmirë, që gjendet në jug-lindje të Pejës. Pjetri u rrit shumë i varfër, jetonte me bukën që fitonte duke lëvruar një copë toke (arë) tejet të vogël me një ka të verbër nga njëri sy. Pas vdekjes së prindërve, u tërhoq në një vend të izoluar bashkë me të motrën Helenen. Më vonë, u izolue brenda një shpelle në kodrë të fshatit Korishë, jo larg Prizerenit, në Kosovë. Pas një pendese të gjatë, në lutje e meditim të Fjalës së Zotit, Pjetri vdiq kah mbarimi i shekullit XIII-të.
Mbreti serbë, Stefan Dushani (1331-1355) dha urdhër që në këtë vend të vdekjes së Shën Pjetrit, të ndërtohej një kishë, e cila u vu nën mbrojtje të manastirit të Hilandarit mbi Malin Athos. Në vitin 1572 reliket e Pjetrit u bartën në manastirin e Shën Mihillit Kryengjëll, në zonën e Ibrit, ku edhe gjenden e nderohen.


Gjithnjë më 5 qershor, duke shfletuar kalendarin e sotëm kishtar, përkujtojmë edhe Shën Bonifacin, ipeshkëv e martir. Pa veprën misionare të Bonifacit, murg benediktin e ipeshkëv, nuk do të kishte qenë i mundshëm organizimi politik e social europjanë i Karlit të Madh. Bonifaci apo Winfridi i përkiste një familjeje fisnike angleze të Devonshiret, ku lindi në vitin 680. Bëri kushtet e jetës murgare në abacinë e Exeterit e të Nursligut, para se të fillonte ungjillëzimin e popullsive gjermane përtej Renit.
Pas vështirësive të para, në tri vjetë përshkoj pjesën më të madhe të territorit gjermanik. I thirrur në Romë, mori shugurimin ipeshkëvnor nga Papa dhe emrin e ri Bonifaci. Para se të organizonte Kishën përgjatë bregut të djathët të lumit Ren, mendoj për themelimin e një abacie, në rajonin e Hesenit e të Turingjit, që të bëhej qendër shtytëse e spiritualitetit e të kulturës fetare në Gjermani. Kështu lindi abacia e njohur e Fuldës. Si seli kryeipeshkëvnore, zgjodhi qytetin e Majncit (Meinz). Shën Bonifaci e përhapi Fjalën e Zotit në Gjermani për 40 vjet.Vdiq më 5 qershor të vitit 754. Shën Bonifaci është pajtor i Gjermanisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.