2006-06-02 18:44:07

“Hapjani horizontet e mendjes suaj dhe të zemrës suaj universitalitetit të kishës, në mënyrë që të kapërcehet çdo tundim për partikularizëm dhe individualizëm”. Kjo është thirrja e fuqishme që Benedikti XVI u bëri eprorëve dhe studentëve të akademisë kishtare, të cilët i priti sot në Vatikan.


(2/6/2006 R.V.)“Eukarestia që kremtoni çdo ditë le të jetë qendra e gjallë, gurra, dhe rrënja e çdo veprimtarie tuaj.” Kështu u tha Benedikti XVI sot paradite në Vatikan anëtarëve të Akademisë Kishtare Papnore, institucion në të cilin formohen meshtarë që përgatiten të bëjnë pjesë në shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë, pranë Nunciaturave Apostolike apo Sekretarisë së Shtetit. “Veprimi i juaj - tha Papa – do të jetë efikas në atë masë sa edhe përpjekjet tuaja për të qenë dëshmitarë të Krishtit, e Vërtetë që ndriçon dhe orienton rrugëtimin e popujve”.


Papa u bëri thirrje anëtarëve të Akademisë Kishtare Papnore që të bëhen përhapës së Ungjillit “të aftë për të ripërtërirë zemrat dhe për t’a bërë plotësisht njerëzore bashkëjetesën brenda shoqërisë. Pasi përvijoi të veçantat dhe tiparet e Akademisë, “shkollë urate” dhe “palestër formimi të vërtetë njerëzor dhe teologjik”, Ati i Shenjtë vuri në dukje kompetencat specifike të këtij institucioni:


“Sot më shumë se kurrë është e nevojshme një kulturë, që parashikon, krahas formimit të nevojshëm teologjik edhe një thellim në doktrinën e përjetshme të Kishës dhe të udhëzimeve të aktivitetit të Selisë së Shenjtë në nivel kishtar dhe ndërkombëtar.”

Benedikti XVI kujtoi pastaj, duke marrë shkas nga trashëgimia historike e Akademisë, themeluar në Romë në 1701 nga Abati Pietro Garanji, thelbin e këtij intinerari formues. “Akademia - theksoi Papa - duhet të vijojë të jetë një vend bashkimi”. “Në të ardhmen, shtoi Ati i Shenjtë, do të keni mundësinë të bini në kontakt me popuj, gjuhë e qytetërime të ndryshme.”


“Do t’ju duhet atëherë të jeni në gjendje të kuptoni, të doni, të mbështetni e t’i jepni zemër çdo bashkësie të krishterë që të jeni kudo shërbëtorët besnikë të karizmës së Pjetrit, që është karizma e bashkimi dhe e puqjes për të gjitha bashkësitë kishtare” – përfundoi Ati i Shenjtë Benedikti XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.