2006-06-02 18:41:07

Të ndërtohen ura mirëkuptimi ndërmjet Kishës dhe opinionit publik:
Kjo është ftesa e Benediktit XVI për mjetet e informimit të lidhura në transmetim direkt me konferencën ipeshkvnore italiane, ndërmjet të cilave edhe e përditshmja “Avvenire”.


(2/6/2006 R.V.) RealAudioMP3 “Përhapni Ungjillin e Krishtit në Itali pa u lodhur në ndërtimin e urave të mirëkuptimit dhe komunikimit ndërmjet përvojës kishtare dhe opinionit publik,” Këtë u tha Papa drejtuesve, gazetarëve dhe teknikëve të së përditshmes katolike “Avvenire”, të kanalit televiziv Sat2000, të qarkut radiofonik Inblu dhe të agjencisë Sir si edhe të të gjitha masmediave të lidhura direkt me Konferencën Ipeshkvnore. I pranishëm ishte edhe kardinali Kamilo Ruini. Benedikti XVI ftoi të gjithë katolikët dhe të gjithë italianët që të jenë të vëmendshëm ndaj vlerave të përnjimendta, që t’i mbështesin këto organe dhe mjetet informimi.


“Të dashur miq, ju zhvilloni një detyrë me të vërtetë të rëndësishme: edhe përmes kontributit tuaj, në fakt, gjen vazhdimësi angazhimi i katolikëve italianë për të futur Ungjillin e Krishtit në jetën e kombit”.

Papa nënvizoi me forcë rolin e operatorëve të mediave të promovuara nga Konferenca Ipeshkvnore italiane dhe kujtoi se pat qenë Papa Pali VI ai që e deshi “lindjen e Avvenire-s”, si e përditshme katolike mbarëkombëtare”, fill në vitet e pasluftës. Një angazhim që u zgjerua pastaj edhe me “një vendim guximtar... në fushën e transmetimit radioteleviziv” për të përhapur në mënyrë gjithnjë e më efikase mesazhin e krishterë në kulturën e krishterë:


“Kultura evropiane, sikurse e dini mirë, është formuar ndër shekuj me kontributin e krishtërimit. Duke filluar pastaj që nga iluminizmi kultura nisi të largohej gjithmonë e më shumë nga themelet e saja të krishtera.”

Disa fakte – vijoi Papa – na tregojnë me një qartësi dramatike pasojat e këtij largimi: “shpërbërja e familjes dhe e martesës, pusitë ndaj jetës njerëzore dhe të dinjitetit të saj, reduktimi i fesë nga përvoja subjektive dhe shekullarizimi i ndërgjegjes publike”:


“Ekzistojnë, sidoqoftë në pjesë të ndryshme të Evropës përvoja dhe kultura të krishtera që afirmohen e që rishtas po dalin me një hov gjithnjë në rritje. Në veçanti feja katolike, është ende, përgjithësisht, e pranishme në jetën e popullit italian dhe shenjat e një gjallërie të ripërtërirë të saj janë të dukshme për të gjithë. Prandaj në punën tuaj si kumtues të frymëzuar nga Ungjilli është e nevojshme të punoni me mend”.


Bëhet fjalë – tha Papa Racinger – për forcimin e “atyre formave të krishtera që rrjedhin nga tradita e madhe e popullit italian, dhe të promovoni përvojat e reja të krishtera që po lindin” duke i ndihmuar për t’u ndërgjegjësuar se kanë rrënjë kishtare dhe për rolin që mund të luajnë në shoqërinë dhe kulturën italiane.
Pastaj Papa i nxiti gazetarët për të dhënë “një dëshmi të ndritshme të një jete të krishterë të thellë”, duke mbetur të lidhur me Krishtin në mënyrë që ta shohin botën me sytë e Krishtit:


“Të jini të lumtur që i përkitni Kishës dhe se mund të vini në rrethin e madh të komunikimit zërin e saj dhe arsyet e saja. Mos u lodhni kurrë së ndërtuari ura mirëkuptimi dhe komunikimi ndërmjet përvojës së krishterë dhe opinionit publik. Kësisoj do të mund të jeni protagonistë të një komunikimi jo të përanshëm por mik në shërbim të njeriut të sotshëm.”

Në fund të fjalës së tij Benedikti XVI u siguroi “afërsinë e tij të vazhdueshme” mjeteve të informimit të mbështetura nga Konferenca Ipeshkvnore italiane.







All the contents on this site are copyrighted ©.