2006-06-02 18:48:13

Lajme shoqërore-politike: 2 qershor


"Rrno per me tregue" doli nga shtypi. Në Tiranë doli ribotimi i librit me kujtime “Rrno për me tregue”, i autorit Atë Zef Pllumi, françeskan. Kësaj here të tri vëllimet janë përmbledhur në një të vetëm. “Për këtë libër ka nevojë ndërgjegja jonë” thotë në parathënien e këtij ribotimi, shkrimtari Ismail Kadare. Vepra letrare “Rrno për me tregue” përmbledh kujtimet e Patër Zefit, përshkrimet e vuajtjeve jo vetëm të klerit katolik shqiptar, por të të gjithë shqiptarëve, që nga 1944 deri në 1990. Libri doli në sajë të kujdesit të shtëpisë botuese 55.


Koalicioni antikorrupsion në kuadër të lëvizjes “Shqipëria jo geto”, i kërkoi qeverisë shqiptare dhe përfaqësive diplomatike me anë të një letre, që të bëjnë gjithçka të jetë e mundur për lehtësimin e regjimit të vizave. Në letër thuhet se “përfaqësuesit të këtij koalicioni por edhe shoqatat e shoqërisë civile vërejnë me shqetësim të madh ashpërsimin e regjimit të vizave për shqiptarët që kërkojnë të udhëtojnë drejt BE-ian”.


Qeveria gjermane do të investojë 9 milionë euro në Shqipëri për rehabilitimin e hidrocentraleve të vegjël. Kryesisht bëhet fjalë për ripërtëritjen e rrjetit të dëmtuar elektrik si edhe për asistencë teknike. Ndër investimet më të mëdha që ka bërë Gjermania në Shqipëri është ai i linjës së tensionit të lartë Elbasan-Podgoricë, me mbarimin e të cilit Shqipëria do të lidhet me Evropën.










All the contents on this site are copyrighted ©.