2006-05-31 19:06:58

“Ungjillëzoni shoqërinë duke i çuar botës të çoroditur nga ideologjitë të vërtetën dhe bukurinë e Ungjillit”. Kështu Benedikti XVI në mesazhin drejtuar lëvizjeve dhe bashkësive kishtare.


(31/5/2006 R.V.)Lëvizjet le të jenë gjithnjë “shkolla bashkimi, shoqërira në ecje në të cilat mësohet të jetosh në të vërtetën dhe me dashurinë”. Është një nga fragmentet kryesore të mesazhit që Benedikti XVI u drejtoi rreth 300 delegatëve të Lëvizjeve Kishtare dhe Bashkësive të reja, mbledhur sot në Rocca di Papa për Kongresin e tyre II botëror.


Sot mendja e njeriut është e çoroditur nga nji vorbull zërash dhe ideologjish bashkëkohore dhe ka një mister që e tërheq drejt ngrohtësisë së vet: ky mister, siç shkruan Shën Bonaventura në homelitë e veta është “bukuria e çdo bukurie”, domethënë Krishti. Mes të tjerëve, për të dëshmuar sot në botë “bukurinë e së vërtetës” dhe “bukurinë e dashurisë” së krishterë, në linjë të parë janë lëvizjet kishtare dhe Bashkësitë kishtare, me përpjekjet e tyre për të bërë që Ungjilli të jetohet në çdo fushë të jetës. Benedikti XVI i njeh këto cilësi shpirtërore të më shumë se 100 lëvizjeve, të cilat do të paraqiten në Sheshin e Shën Pjetrit, në vigjilje të Rrëshajëve, lëvizje këto që lulëzuan kryesisht pas Koncilit II të Vatikanit.
“Çoni dritën e Krishtit në të gjitha mjediset shoqërore dhe kulturore në të cilat jetoni” – nxit Papa. “Ndriçoni errësirën e botës së trullosur nga mesazhet kontradiktore të ideologjive. Nuk ka bukuri që vlen nëse nuk ka një të vërtetë për t’u njohur dhe për t’u ndjekur” - thekson Papa Racinger në mesazhin e tij.
“Aty ku dashuria shfaqet si pasion për jetën dhe për fatin e të tjerëve, duke u rrezatuar në ndjenja dhe në punë dhe duke u shndërruar në një forcë ndërtuese të një rendi shoqëror më të drejtë, aty ndërtohet një qytetërim i aftë për t’i bërë ballë dyndjes së barbarëve”- pohon Papa.







All the contents on this site are copyrighted ©.