2006-05-31 19:10:30

Në Audiencën e përgjithshme para afër 35 mijë besimtarëve e shtegtarve, Papa Benedikti XVI foli mbi udhëtimin apostolik të tij në Poloni.


RealAudioMP3 (31.05.’06.R.V.)Njerëzimi mos të harrojë tmerret e Aushvicit e Birkenaut dhe të fabrikave tjera të vdekjes naziste: kjo është thirrja e fuqishme e Papës Benediktit XVI gjatë audiencës së përgjithshme sot paradite, në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, në të cilën morën pjesë 35 mijë shtegtarë, e të cilën audiencë Papa ia kushtoi krejtësisht udhëtimit të tij apostolik në Poloni.
Ati i Shenjtë Racinger përshkroi momentet e kyçe të vizitës në tokën e paradhësit të vet të dashur, Gjon Palit II, duke falenderuar të gjithë ata që mundësuan realizimin e suksesshëm të kësaj ngjarjeje dhe vuri theksin mbi domethënien e porosisë që ua la “bijëve të dashur të Polonisë”: të “qëndrojnë të fortë në fe” dhe i inkurajoi “t’i rrijnë besnik Krishtit e Kishës, në mënyrë që Evropës e botës të mos i mungojë mbështetja e dëshmisë së tyre ungjillore”.
Të gjithë të krishterët – nënvizoi Papa – duhet të ndjehen të impenjuar në këtë dëshmi, për të evituar që njerëzimi i tre mijëvjeçarit të mund të njohë sërish tmerre të ngjashme me ato tragjike që na sjell ndërmend kampi i shfarosjes së Aushvicit e Birkenaut.


“Përballë tmerrit të Aushvicit nuk ka përgjigje përveç Kryqit të Krishtit: Dashuria e zbritur deri në fund të humnerës të së keqes, për të shpëtuar njeriun në rrënjë, aty ku liria e tij mund të rebelohet kundër Zotit. Mos ta harrojë njerëzimi i sotëm Aushvicin dhe “fabrikat e tjera të vdekjes” në të cilat regjimi nazist u përpoq të asgjësojë Zotin për të marrë vendin e Tij! Mos të bjerë në tundimin e urrejtjes raciale, që është në zanafillë të llojeve më të këqija të antisemitizmit.


E, duke u folur besimtarëve gjermanë Papa shtoi: “Nuk duhet të ekzistojnë kurrë më vende tmerrit si kampi i përqendrimit të Aushvicit e Birkenaut. Njerëzit le ta njohin Zotin si Atë të të gjithë njerëzve dhe se të gjithë janë të grishur që në Krishtin të ndërtojnë së bashku një botë ku të sundojë drejtësia, e vërteta dhe paqja.” Duke folur mbi udhëtimin në Poloni, Papa u përshkroi shtegtarëve në Sheshin e Shën Pjetrit, emocionet e vizitës në tokën e Papës Gjon Palit II, “shërbëtor i palodhshëm i Ungjillit.” U ndal në veçanti te vizita në Vadovice, ku Karol Vojtila u lind dhe u pagëzua:


“Rrënjët e fesë së tij të shëndoshë dhe të humanizmit të tij aq të ndjeshëm dhe të hapur, të dashurisë së tij për bukurinë dhe të vërtetën, të devocionit të tij për Zojën e Bekuar, të dashurisë së tij për Kishën dhe mbi të gjitha të vokacionit të tij për shenjtërinë, gjenden në këtë qytezë, ku ai pat marrë edukimin dhe formimin e parë.”


Por Papa Racinger kujtoi edhe ndalesat e tjera të tija gjatë udhëtimit në tokën polake. “Në katedralen e Varshavës theksova synimin e palëkundur për të marrë në shqyrtim impenjimin për rindërtimin e bashkimit të plotë ndërmjet të krishterëve, si një përparësi të ministerit tim” – nënvizoi gjithashtu Benedikti XVI.








All the contents on this site are copyrighted ©.