2006-05-28 19:34:16

Shqiptarët të udhëhequr nga Imzot Rrok Mirdita shtegtuan sot më 28 maj në Gjenacan tek fugurja e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtorja Qiellore e Kombit Shqiptar.


RealAudioMP3 (28.05.06.R.V.) Sot në Gjenacan, afër Romës, u zhvillua shtegtimi i përvjetshëm i shqiptarëve në Shenjtëroren e Zojës së Këshillit të Mirë.
Sikurse tashmë është bërë traditë, të dielën e fundit të muajit maj, shqiptarët ia kushtojnë një shtegtimi shpirtëror në Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë. Besimtarët kishin ardhur që nga Lombardia, Venetoja, Umbria, përfshi dhe Lacion, Toskanën për t’u takuar me Nënën Shpirtërore të kombit shqiptar, asaj Nëne që në shekujt e errët të pushtimit otoman ipeshkvijtë shqiptarë i besuan fatin e kishës dhe jetën e popullit katolik shqiptar. Për të nënvizuar këtë lidhje jo vetëm të popullit por edhe të klerit katolik shqiptar me Nënën e Këshillit të Mirë, kishte ardhur posaçërisht nga Tirana edhe kryeipeshkëvi i Tiranë-Durrësit Imzot Rrok Mirdita.
Këtë vit shtegtimi ndryshe nga vitet tjera ishte konceptuar si një pjesëmarrje e gjallë e të gjithë shqiptarëve. Nën kujdesin e misionarit Don Antonio Sharra, në Shqipëri ishte përgatitur Arka që përmbante të gjitha lutjet e familjeve shqiptare, të cilat janë mobilizuar të zbatojnë fjalët e Atit të Shenjtë Gjon Palit II, i cili i pat nxitur të gjithë të krishterët që të mbrojnë familjen. Këtyre lutjeve në momentin e paraqitjes së Arkës përpara besmitarëve iu shtuan lutjet e emigrantëve shqiptarë që jetojnë jashtë atdheut. Arka e Besëlidhjes, quajtur kështu sipas Litanive të Zojës, para se të vijë në Itali kishte përshkuar Shqipërinë. Ndërsa në Itali rruga e saj ka filluar nga Piemonti, Lombardia, Toskana duke u ndalur në çdo famulli ku ka bashkësi shqiptare, për të arritur sot (28 maj) në Gjenacan.
Pas një procesioni të shkurtër — të cili i printe banda e qytetit të Gjenacanit, dashamirësisht vënë në dispozicion nga bashkia, fugurja e madhe e Zojës së Këshillit të Mirë, Arka e Besëlidhjes, — meshtarët e shumtë me në krye Imzot Rrok Mirditën, të ndjekur nga besimtarët katolikë shqiptarë por edhe të besimeve të tjera, hynë në kishë.
Mbas leximeve biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit të festës të ditës së sotme, Imzot Rrok Mirdita mbajti homelinë e rastit.
Mes tjerash Imzoti theksoi se mërgimtarët nuk janë vetëm. Mërgimtarja e parë ishte Zoja e Shkodrës, e cila u parapriu shqiptarëve dhe u dha zemër gjatë shekujve të errët të pushtimit të huaj.
Mërgimtarët që kanë lënë vendin e tyre për një punë, për bukën e gojës, për një shkollim më të mirë të fëmijëve të tyre, kanë lënë atdheun për një vend që nuk është toka e tyre. Por ky është një shtegtim në të cilin na prin Zoja e Këshillit të Mirë, është shtegtimi që do të përfundojë me arritjen tonë në jetën e pasosme, në atë që është atdheu ynë i vërtetë.
“Ardhja jonë sot — këtu shtoi Imzot Mirdita, është vetëm një ndalesë për të gjetur pak çlodhje në prehrin e Zojës së Bekueme, në atë prehën që priti aq e aq herë Birin e saj, Zotin tonë të Ngjallur Jezu Krisht.
Në përfundim të meshës, Dom Paskuale Ferraro, rektori i kishës së Shën Gjonit të Malvës, falenderoi Imzot Mirditën, që tashmë është edhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare, falenderoi Dom Antonio Sharrën si edhe të gjithë të pranishmit që morën pjesë në shtegtim.
Festa e sotme u mbyll me drekën e shoqëruar me këngë e valle shqiptare nën hijen e pishave. Këtu mund të ndiqni regjistrimet të drejtëpërsëdrejti nga shtegtimi i shqiptarëve në Gjenacan realizuar nga Arben MarkuRealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.