2006-05-25 17:21:59

Rast për t’i përforcuar besimtarët në fe: në kujtimin e Karol Vojtilës, nisi shtegtimi i Benediktit XVI në Poloni


( 25. 05. 06 R. V. )RealAudioMP3 Filloi sot paradite vizita apostolike e Benedikti XVI në atdheun e Karol Vojtilës. Mijëra besimtarë në festë e përshëndetën në aeroport dhe rrugës për në Varshavë, ku Papa u takua me klerin dhe u lut tek varri i kardinalit Vishinski.
Shtegtim për të kujtuar e për t’i shprehur mirënjohjen Paraardhësit të tij të dashur, por edhe rast i përshtatshëm për t’i përforcuar besimtarët në fe: me këtë frymë nisi sot paradite vizita apostolike e Papës Racinger në Poloni, shtegtimi II ndërkombëtar i Benediktit XVI. Papa u nis nga aeroporti i Fiumiçinos rreth orës 8. 50. Për t’i uruar udhë të mbarë, në aeroport kishte dalë kryeministri i Italisë, Romano Prodi. Në orën 10. 58 avioni papnor preku tokën polake në aeroportin e Varshavës, ku për ta pritur Atin e Shenjtë kishte dalë gjithë episkopati polak, presidenti Leh Kaçinski dhe mijëra besimtarë në festë. Populli i Gjon Palit II deshi t’i shprehte kështu menjëherë dashurinë e vet bijnore Benediktit XVI. Për ta rijetuar këtë shtegtim të Papës në tokën polake, të ndjekim shërbimin e të dërguarit të Radios sonë në Poloni, Sergio Centofantit:
“Pritje vërtetë festive për Benediktin XVI në Varshavë. Në orën 11 të gjitha këmbanat ranë njëherësh, duke përshëndetur me një kor tingujsh festivë arritjen e Papës në Varshavë. Vikari i Krishtit, miku besnik i Gjon Palit II, arriti në Poloni për të nderuar kujtimin e Papës Vojtila e për të përforcuar besimtarët në fe: sapo doli nga aeroplani, me fytyrë të qeshur, ngriti lart duart e bashkuara për të përshëndetur të pranishmit. Fjalët e para në gjuhën polake u pritën me entuziazëm të madh.
Pohoi menjëherë se e kishte dëshiruar prej kohe këtë vizitë në vendin e ndërmjet njerëzve, prej nga vinte Paraardhësi i Tij i dashur. Më pas shtoi, në gjuhën italiane:
Kam thënë se rruga që do të përshkoj në këtë udhëtim në Poloni kalon në ato vise ku ruhen gjurmët e jetës e të shërbimit baritor të Karol Vojtilës si dhe të rrugëtimit të Papës shtegtar në atdheun e tij”.
Pastaj pjesa kryesore e tekstit u lexua nga një meshtar polak. Benedikti XVI nënvizoi menjëherë moton e shtegtimit të tij: “Qëndroni të fortë në fe”. E kujtoi që në fillim, për të pohuar se ky nuk është thjeshtë shtegtim sentimental, ndonëse me shumë vlerë edhe në këtë aspekt - por shtegtim feje, pjesë përbërëse e misionit që Zoti ia pati besuar Shën Pjetrit Apostull për t’i përfocuar vëllezërit në fe. Prandaj Benedikti XVI i ftoi besimtarët të mos kenë frikë, por të dëshmojnë kudo e kurdoherë një fe të fortë, që di të dialogojë, pikërisht sepse është pjesë përbërëse e një identitei të qartë. E më pas Papa u drejtoi përshëndetjen e vet edhe përfaqësuesve të kishave të tjera të krishtera, të bashkësisë hebraike e të ndjekësve të Islamit. Duhen kujtuar këtu fjalët që Papa ka thënë për dialogun: “Ekumenizmi është përparësi e papnisë së tij, lidhja e Kishës me hebraizmin është unike, dialogu me myslimanët është nevojë jetike nga e cila varet një pjesë e mirë e ardhmërisë sonë”:
“Qëndroni të fortë në fe” - përsëriti Papa në gjuhën italiane.
“Qëndroni të fortë në fe – ja motua e shtegtimit apostolik. Dëshiroj shumë që këto ditë të sjellin përforcimin në fe për ne të gjithë, për besimtarët e Kishës që është në Poloni e edhe për mua”.
[[[E më pas u drejtoi përshëndetjen edhe atyre që nuk e kanë hirin e fesë por janë njerëz vullnetmirë, duke uruar që kjo vizitë të jetë kohë vëllazërimi, dashamirësie e shprese. Këto vlera të humanitetit përbëjnë themelin e shëndoshë për ndërtimin e një bote më të mirë, në të cilën secili mund të gjejë prosperitet material e lumturi shpirtërore.]]
Papa paraqiti më pas shtegtimin e tij në gjurmët e Gjon Palit II: etapat kryesore të këtij shtegtimi janë Krakovia, Vadovica, Çestokova e, ditën e fundit, të dielë, më 28 maj, vizita e shumpritur në kampin nazist të shfarosjes në Aushvic, ku ‘do të lutemi të gjithë së bashku’ – tha Papa - që plagët e shekullit të kaluar të shërohen me mjekimin, të cilin Zoti i mirë na e tregon duke na bërë thirrje për falje të anasjelltë e na e dhuron në misterin e mëshirës së tij.
Edhe përshëndetjen e fundit Papa e shqiptoi në gjuhën polake. Ndërsa presidenti Leh Kaçinski, duke i uruar mirëseardhjen Atit të Shenjtë, e falënderoi që zgjodhi Poloninë për shtegtimin e tij të parë apostolik.
Menjëherë pas përfundimit të ceremonisë së mirëseardhjes, Ati i Shenjtë shkoi në katedralen e Varshavës për t’u takuar me klerin, i brohoritur gjatë gjithë rrugës nga turma në festë. Fjalimi i Atit të Shenjtë, shumë i fortë, përvijoi identikitin e meshtarit. Para së gjithash kujtoi dëshmitarët heroikë të fesë në historinë e dhimbshme të Polonisë, ndërmjet të cilëve, kardinalin Stefan Vishinskij: shenjtorë e njerëz të zakonshëm, që vijuan të ecin në rrugë të drejtë, pa e humbur kurrë shpresën, duke i përballuar me guxim forcat e errësirës, pa u nënshtruar kurrë as përballë kërcënimeve e as përballë premtimeve.
Madhështia e meshtarisë – vijoi Papa – mund të shkaktojë druajtje, në se mendon për ligështitë njerëzore, por ai që e zgjedh këtë rrugë, duhet t’i besojë dashurisë së Krishtit. Më pas Ati i Shenjtë i porositi meshtarët të mos nxitohen tepër, gati-gati sikur koha kushtuar Krishtit në lutje të heshtur të ishte kohë e humbur. Pikërisht aty lindin frytet më të mrekullueshme të shërbimit baritor. Nuk duhet, prandaj, ta humbasin guximin për faktin se lutja kërkon përpjekje, as kur u krijohet përshtypja se Jezusi hesht. Ai hesht, por vepron.
Papa kujtoi përvojën e jetuar vitin e kaluar në Këln, ku qe dëshmitar i heshtjes së thellë e të paharrueshme të miliona të rinjve në çastin e adhurimit të të Shenjtnueshmit Sakrament. Në një botë ku ka kaq shumë zhurmë, kaq shumë hutim - nënvizoi - ndjehet nevoja për adhurimin e heshtur të Jezusit të fshehur në Hoste: Më pas shtoi në italisht:
“Nga meshtarët besimtarët presin vetëm një gjë: të jenë specialistë në takimin e njeriut me Zotin. Mesharit nuk i kërkohet të jetë specialist në ekonomi, në industri ose në politikë: nga ai kërkohet të jetë specialist në jetën shpirtërore”.
Benedikti XVI kujtoi se Gjon Pali II i ka nxitur dhumë herë të krishterët të bëjnë pendesë për pabesitë e së kaluarës: besojmë se Kisha është shenjte – tha Papa – por në të ka njerëz mëkatarë. Nuk duhet pranuar dëshira për t’u identifikuar vetëm me ata që janë pa mëkat. Si do të mundte Kisha t’i përjashtonte nga radhët e veta mëkatarët? Jezusi u mishërua, vdiq e u ngjall për shëlbimin e tyre. Nuk duhet harruar veç që pendesa e krishterë të jetohet me sinqeritet të thellë. E duhet të ruhemi edhe nga pretendimi për t’u bërë gjykatës arrogantë të breznive të mëparshme, që jetuan në kohë të tjera e në rrethana të tjera. Duhet sinqeritet i përvuajtur, për të mos i mohuar mëkatet e së kaluarës, por njëkohësisht edhe për të mos bërë lehtësisht akuza, kur mungojnë provat reale ose duke injoruar rrethanat e atëhershme. Përveç tjerash – vërejti Papa – rrëfimi i mëkatit duhet shoqëruar gjithnjë me rrëfimin e lavdërimit, për të mirat që janë bërë me ndihmën e hirit hyjnor.
Papa foli, në vijim, për sfidat aktuale të Kishës në Poloni, për plagën e papunësisë, për emigracionin dhe për kujdesin baritor që duhet treguar ndaj atyre të cilët largohen prej vendit. Më pas kujtoi misionarët e shumtë polakë nëpër botë dhe i nxiti meshtarët të mos kenë frikë kur u duhet ta lënë “botën e sigurtë e të njohur” për të shërbyer në një botë të pasigurtë e të panjohur, atje ku mungojnë meshtarët e ku bujaria e tyre mund të sjellë fryte të begata:
“Qëndroni të fortë në fe! Edhe juve jua besoj moton e shtegtimit tim. Jini meshtarë të vërtetë në jetën e në misionin tuaj. Duke ia ngulur sytë Krishtit, jetoni një jetë të thjeshtë, solidare me besimtarët, ndërmjet të cilëve jeni dërguar. Shërbejuni të gjithëve”.
***
Pasdite, në orën 17. 45, Papa shkoi për vizitë mirësjelljeje në Pallatin presidencial të Varshavës, ku bisedoi privatisht me presidentin Leh Kaçinski. Më pas u takua me familjarët e presidentit polak dhe me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë: me Kryeministrin dhe Kryetarin e Parlamentit. Në Pallatin presidencial Ishin të pranishëm të gjithë anëtarët e Këshillit të Ministrave, tre kryetarët e gjykatave dhe trupi diplomatik i akredituar në Poloni. Vizitë e përzemërt, gjatë të cilës u shkëmbyen biseda miqësore e dhurata.
Në përfundim të kësaj vizite, Benedikti XVI u nis drejt Kishës së Luterane të Trinisë Shenjte në Varshavë, ndërtuar në vitin 1781, ku mori pjesë në takimin me anëtarët e Këshillit Ekumenik Polak dhe me përfaqësues të feve të tjera. Në këtë Këshill Ekumenik, themeluar në vitin 1946 me nismën e pastorit luteran Zigmund Mitçelis, bëjnë pjesë 7 Kisha ungjillore, ortodokse e katolike. Kujtojmë se në këtë takim Benedikti XVI eci mbi gjurmët e Gjon Palit II i cili, më 9 qershor 1991, kryesoi këtu lutjen për bashkimin e të krishterëve. Ndërsa sot Papa Racinger kremtoi liturgjinë e Fjalës së Zotit, gjatë së cilës u drejtoi të pranishmëve një fjalim programatik për ecjen e mëtejshme në rrugën drejt bashkimit aq të dëshiruar të gjithë të krishterëve. Si i përshëndeti përzemërsisht pjesëmarrësit në takim, Ati i Shenjtë theksoi me forcë nevojën e lutjes, sepse bashkimi është kryesisht dhuratë e Zotit e nuk mund të realizohet pa ndihmën e Tij.
“Jemi për udhë drejt takimit përfundimtar me Krishtin, kur Ai do të zbulojë para nesh kuptimin e historisë njerëzore, qendër e së cilës është Kryqi i flijimit të Tij shëlbues –theksoi Ati i Shenjtë. - Duhet ta lemë veten të udhëhiqemi nga dashuria e anasjelltë që na ngjall ndër zemra vetë Krishti e ta përforcojmë këtë dashuri, jo duke u mbështetur mbi meritat tona, por mbi lutjen në të cilën Jezusi zbulon kuptimin e ardhjes së Tij mbi tokë dhe të vdekjes së tij shëlbuese: “Atë dua që ata të cilët m’i dhe, të jenë aty ku jam unë, bashkë me mua, që të kundrojnë lavdinë time, lavdinë që ti ma dhe, sepse ti më deshe para se të krijohej bota”(Gjn. 17, 24)” .
Fjalimi i Papës, me përmbajtje të thellë doktrinore, kishte në qëndër të vëmendjes konceptet kryesore të rrugës ekumenike të kishave të krishtera.
Më pas Benedikti XVI kujtoi vizitën e Papës Gjon Pali II në këtë Kishë si dhe ngjarjet më të rëndësishme ekumenike në botë e në Poloni, që nga botimi i Enciklikës ‘Ut unum sint’ - ‘Që të jenë një’, tek nisma ‘Vepra e Krishtlindjes në ndihmë të fëmijëve’, në të cilën bashkëpunojnë organizatat bamirëse të Kishave katolike, ortodokse dhe evangjelike. Këto ngjarje Papa i quajti ‘hapa të rëndësishme përpara në rrugën drejt bashkimit të plotë të të krishterëve’.
Më pas Benedikti XVI bëri dy propozime konkrete: propozoi ekumenizmin e bamirësisë dhe atë të jetës familjare. Papa vuri theksin mbi bashkëpunimin e ngushtë, me frymë të thellë ekumenike, në fushën e bamirësisë në favor të nevojtarëve. Së dyti, pa harruar të nënvizojë edhe rreziqet e mundshme, Benedikti XVI propozoi martesat ndërkonfesionale ndërmjet të rinjve të krishterë të cilat, po të jetohen me fe të vërtetë, duhen parë si një hap tjetër i rëndësishëm përpara në rrugën ekumenike, sepse kështu familjet bëhen laborator dialogu.
Nesër, pas Meshës në Sheshin Pilsudski, Ati i Shenjtë do të niset me helikopter për në Çestokovë e më pas do të arrijë në Krakovi.







All the contents on this site are copyrighted ©.