Në audiencën e përgjithshme, Benedikti XVI ia besoi lutjeve të besimtarëve shtegtimin
e tij në Poloni, një ditë para nisjes për në Varshavë
( 24. 05. 06 R. V. ) Ecja në udhën e fesë
nuk është marshim triumfal: Benedikti XVI ia beson lutjeve të besimtarëve shtegtimin
e tij në Poloni, një ditë para se të niset për në atdheun e Gjon Palit II. Papa
ia besoi mijëra besimtarëve, mbledhur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit për audiencën
e përgjithshme - vizitën apostolike në Poloni, një ditë para se të niset në drejtim
të Varshavës. Është shtegtimi i tij i dytë jashtë Italisë, pas atij në Këln, në gushtin
e kaluar për të kremtuar Ditën botërore të Rinisë. Kjo vizitë, të cilën Papa e ka
posaçërisht për zemër, do të zhvillohet me moton: “Qëndroni të fortë në fe!”. Me
zërin që i dridhej nga emocioni, Benedikti XVI kujtoi se nesër do të jetë në atdheun
e të dashurit, Gjon Palit II, ku do të shkelë ndër viset e misionit të tij meshtarak
e ipeshkvnor, duke realizuar kështu, me ndihmë të Zotit, një dëshirë që e ka prej
kohe në zemër. Më pas u kërkoi të gjithë besimtarëve lutje të posaçme dhe ia besoi
shtegtimin Zojës së Bekuar, që e nderon aq shumë Polonia: “Ajo i drejtoftë hapat
e mi, që ta përforcoj në fe bashkësinë e dashur katolike polake e t’i jap zemër për
të përballuar sfidat e sotme, me një aksion energjik ungjillëzues. Maria i sjelltë
këtij kombi një pranverë të re feje e përparimi shoqëror, duke e ruajtur përherë të
gjallë kujtimin e Paraardhësit tim të madh”. E turma, në shenjë miratimi, iu
përgjigj Papës me duartrokitje të gjata: 35 mijë shtegtarë, ndërmjet të cilëve, dymijë
polakë, të ardhur nga 21 vende të ndryshme, ishin sot të pranishëm në Sheshin e Shën
Pjetrit për të ndjekur katekizmin e Atit të Shenjtë, përqëndruar tek figura e Shën
Pjetrit, Apostullit që i kishte premtuar Krishtit besnikëri absolute e që, megjithatë,
provoi shijen e hidhur dhe poshtërimin e mohimit. Kështu edhe Shën Pjetrit iu desh
të mësonte se s’kishte pikë vlere, ashtu si çdo mëkatar që beson. Qysh nga kjo ditë
Pjetri e ndoqi Mjeshtrin me vetëdijen e ligështisë së tij: por kjo vetëdije - vijoi
Papa – nuk e bëri të humbasë guximin. Ai e dinte se mund të mbështetej tek Krishti
i Ngjallur, të cilin e kishte gjithnjë pranë: “Shkolla e fesë për të gjithë
ne nuk është marshim triumfal, por udhë e shtruar me vuajtje e dashuri, me prova e
besnikëri, që duhen jetuar ditë për ditë”.