( 24. 05. 06 R. V. ) Lufta e perëndimit
kundër terrorizmit dhe shkelja e të drejtave të njeriut ishte në qendër të raportit
të Amnesti Internashionallit, i cili u paraqit dje në Londër. Organizata akuzon katër
anëtarë me të drejtë vetoje në OKB, Kinën, Rusinë, Britaninë e Madhe dhe SHBA-ës se
“me mashtrimet dhe premtimet e tyre të gënjeshtërta” – lexohet në raport – kanë dobësuar
rolin e OKB-së në botë.
Pas takimit ndërmjet kryeministrit Ehud Olmert
dhe presidentit Xhorxh Bush në Uashington, pala amerikane kërkoi që Tel-Avivi të hapë
sa më shpejt negociatat me palestinezët, ndërsa kryeministri Olmert njoftoi se do
të takohet me presidentin Abu Mazen. Ndërkaq ministri izraelit i mbrojtjes lajmëroi
se Hamasi ka gjashtë muaj kohë për njohjen e Izraelit dhe heqjen dorë nga dhuna, në
rast të kundërt Izraeli do të tërhiqet nga Cisjordania dhe do t’i caktojë vetë kufijtë.
Edhe
dita e sotshme në Bagdad ishte e përgjakshme. Një bombë shpërtheu duke shkaktuar disa
viktima ndër punëtorët shiitë. Gjithashtu rebelët vranë edhe një funksionar të lartë
të policisë irakiane.
Osama Bin Ladeni shfaqet sërish me një mesazh të
ri, i cili u përhap dje në internet. Ish-kryetari i Al Kaedës thotë se Zakarias Musai,
marokeni që u dënua kohët e fundit në SHBA për atentatet e 11 shtatorit, nuk ka bërë
pjesë në grupin e terroristëve që Bin Ladeni vetë pati udhëzuar për atentatet në Uashington
dhe Nju Jork në 2001-in.
Ushtria afgane zhvilloi sot përsëri luftime të
ashpra me talebanët në jug të vendit. Sipas burimeve të ministrisë së brendshme afgane
pati 50 të vdekur nga rebelët dhe pesë nga trupat e rregullta. Ndërsa kryeministri
Karzai, po sot, u takua me komandantët e trupave aleate për t’u kërkuar shpjegime
rreth bombardimit të së dielës, gjatë të cilit humbën jetën me dhjetra civilë.
Ministri
i Transporteve Lulëzim Basha dhe Ministri i Mjedisit të Malit të Zi Boro Vuçinoviq
nënshkruan në Tiranë një projekt për zhvillimin e turizmit në dy anët e Liqenit të
Shkodrës. Projekti do të realizohet falë një fondi prej 500 mijë eurosh dhënë nga
qeveria gjermane. Kjo është marrëveshja e parë që nënshkruan qeveria malazeze pas
fitores së referendumit për pavarësinë nga Serbia të dielën e shkuar.