2006-05-23 17:29:09

Papa i shkruan Eprorit të përgjithshëm të Jezuitëve me rastin e 50-vjetorit të Enciklikës "Haurietis aquas" mbi kultin e Zemrës së Krishtit


( 23. 05. 06 R. V. ) Ngulja e vështrimit mbi Kryqin e Shëlbuesit tonë, na ndihmon për t’u bërë më të vëmendshëm ndaj vuajtjes të të tjerëve: kështu shprehet Benedikti XVI në një Letër drejtuar Eprorit të përgjithshëm të Shoqërisë së Jezusit, Atë Peter-Hans Kolvenbah, me rastin e 50-vjetorit të Enciklikës së Piut XII, Haurietis aquas, me të cilën i jepte një hov të ri Kultit të Zemrës së Krishtit. Papa nënvizon se Shoqëria e Jezuitëve ka qenë gjithnjë jashtzakonisht aktive në përhapjen e këtij devocioni themelor për jetën e krishterë.
“Posaçërisht duke parë vuajtjen e Krishtit dhe vdekjen e Tij, ne mund të njohim në mënyrë gjithnjë më të qartë dashurinë pa kufi që ka Zoti për ne”. Kjo është një nga shprehjet më të forta të letrës, që Benedikti XVI ia drejtoi Atë Kolvenbahut, përqëndruar plotësisht tek misteri i dashurisë së Zotit. Duke u ndaluar tek kulti dhe devocioni i Zemrës së Krishtit, Papa ripohon se mund të jesh i krishterë “vetëm me sy të drejtuar nga Kryqi i Shëlbuesit tonë”, prandaj i nxit besimtarët ta provojnë dashurinë e Hyjit me vështrimin drejtuar nga Zemra e Jezu Krishtit. Më tej Ati i Shenjtë shkruan se kulti i dashurisë së Hyjit, në qendër të Enciklikës Haurietis aquas, duhet të na ndihmojë të kujtojmë vazhdimisht se ai mori mbi vete vullnetarisht të gjitha vuajtjet për shpëtimin tonë, ‘për ne’, ‘për mua’. Kur e praktikojmë këtë kult - vëren Papa - jo vetëm që e njohim, plot mirënjohje, dashurinë e Hyjit, por vijojmë t’ia hapim zemrat kësaj dashurie, në mënyrë që jeta jonë t’i ngjasë jetës së Krishtit.
Misteri i dashurisë së Hyjit – kujton Papa - nuk përbën vetëm përmbajtjen e kultit e të devocionit të Zemrës së Krishtit, por edhe përmbajtjen e çdo përshpirtërie e të çdo e devocioni të krishterë. E kjo dashuri duhet të jetohet e të dëshmohet. Kush e pranon në shpirt dashurinë e Zotit, merr trajtë prej saj. Si ta ketë provuar këtë dashuri, njeriu e jeton atë si një thirrje së cilës duhet t’i përgjigjet. Pikërisht duke i sjellur sytë nga Zoti, që ka marrë mbi vete të gjitha ligështitë tona e të gjitha sëmundjet tona – shkruan Papa – ne bëhemi më të vëmendshëm përballë vuajtjes e nevojave të të tjerëve. Kundrimi adhurues i kraharorit të shporuar, na bën të aftë t’ia besojmë krejt vetveten dashurisë së Tij shëlbuese e të mëshirëshme dhe, njëkohësisht, na forcon dëshirën të marrim pjesë në veprën e tij të shëlbimit, duke u bërë mjetet e tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.