Përcaktimi i kufijve
izraelito-palestinezë, plani për boshatisjen e qendrave të banuara nga kolonët hebre
në territoret e pushtuara dhe çështja bërthamore iraniane ishin në qendër të takimit
ndërmjet kryeministrit izraelit Ehud Olmert dhe presidentit amerikan Xhorxh Bush.
Ndërkaq kryeministri palestinez Hanijeh deklaroi se Hamasi është i gatshëm të ofrojë
një armëpushim nëse Izraeli tërhiqet në kufijtë e 1967-ës.
Shpërthimi i
një bombe kundër një patrulle policie në Bagdad shkaktoi pesë të vdekur. Ndërsa në
veri të kryeqytetit një grup i armatosur vrau tre punëtorë. Megjithëse situata në
vend nuk është e qetë, kryeministri Al Maliki deklaroi se trupat e huaja do të fillojnë
të largohen nga Iraku duke u nisur nga muaji i ardhshëm.
Një mjek, dy infermierë
dhe një shofer mbetën të vrarë në juglindje të Kabulit nga një bombë e talebanëve.
Gjithnjë dje talebanët sulmuan një autokolonë qeveritare në jug të Afganistanit duke
vrarë tre policë. Burimet lokale njoftojnë se, prej fillimit të sulmeve të ekstremistëve
javën e kaluar e deri tani, ka patur rreth 300 të vrarë nga talebanët, civilët dhe
ushtarët ndërkombëtarë.
Ministri i brendshëm egjiptian doli sot me një
deklaratë në të cilët thuhet se kamikazet që me 24 prillin e kaluar vranë 23 vetë,
ishin stërvitur nga terroristët palestinezë në Rripin e Gazës.
Dy avionë
luftarakë, një ri grek dhe tjetri turk u përplasën me njëri-tjetrin ndërsa fluturonin
mbi ishullin grek Karpathos. Autoritetet turke njoftuan se njëri nga dy pilotët turq
është gjallë dhe është shpëtuar nga një anije panameze. Aksidenti ndodhi pas dhunimit
të zonës ajrore greke nga ana e aeroplanit turk.