2006-05-22 17:27:33

Në audiencë tek Papa, presidenti maqedonas


( 22. 05. 06 R. V. ) Benedikti XVI priti sot në audiencë në Vatikan, presidentin e ish-Republikës së Maqedonisë, Branko Crvenkovski me grupin që e shoqëronte. Ishte një takim i përzemërt, që zgjati një çerek ore.
Crvenkovski është takuar dy herë me Gjon Palin II: më 23 maj 2003, si kryeministër dhe më 24 maj 2004, si president i sapozgjedhur. Kjo vizitë tashmë është bërë tradicionale për presidentin maqedonas në këtë periudhë të vitit. Kujtojmë se këto ditë– sipas Kalendarit ortodoks – kremtohen shenjtorët vëllezër, Çirili e Metodi, bashkëpajtorë të Evropës dhe ungjillëzues të pjesës lindore të Kontinentit të vjetër.
Kujtojmë se Maqedonia, ish-Republikë e Federatës jugosllave, u shpall e pavarur në vitin 1991. Vendi ballkanik, fqinj me Shqipërinë, me kryeqytet Shkupin, ka rreth 2 milion banorë. Të krishterët ortodoksë përbëjnë 54% të popullsisë, ndërsa myslimanët, 30%. Sipas të dhënave të fundit të Vjetarit statistikor të Kishës, në Maqedoni ka rreth 15 mijë katolikë, ndërmjet të cilëve shumë shqiptarë. Katolikët janë të organizuar në një dioqezë, nën kujdesin e një ipeshkvi dhe të 13 meshtarëve.










All the contents on this site are copyrighted ©.