2006-05-22 19:10:56

Lajme shoqërore-politike: 22 maj


RealAudioMP3 Në Afganistan vijojnë luftimet ndërmjet rebelëve talebanë dhe forcave ndërkombëtare. Aviacioni i trupave ndërkombëtare bombardoi sot një fshat në Kandahar kthyer në bazë të terroristëve. Pati 70 viktima ndërmjet të cilave edhe civilë.


Kryeministri izraelit Ehud Olmert po kryen një vizitë pune në Uashington të SHBA-ës. Nesër do të takohet me presidentin Bush dhe sekretaren e Shtetit Rajs. Në qendër të bisedimeve do të jenë procesi i paqes në Lindje të Mesme dhe plani bërthamor iranian.


Gjendja në Palestinë vijon të jetë e nderë me gjithë deklaratat për paqë të presidentit Abu Mazen dhe kryeministrit Ismail Hanijeh. Në rripin e Gazës përsëri pati përleshje ndërmjet Al Fatahut dhe Hamasit, nga të cilat mbeti i vrarë një militant i Al Fatahut. Gjithashtu sot paradite Hamasi sulmoi policinë palestineze në Gazë. Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vdekur shoferi i ambasadorit jordanez si edhe u plagosën shtatë qytetarë të tjerë.


Kryeministri britanik Toni Bler kreu sot një vizitë të rrufeshme në Irak, ku u takua me krerët e forcave ushtarake britanike dhe kryeministrin e ri Al Maliki. “Nuk do të kishim dashur të ishte kaq i gjatë dhe i vështirë, por gjithsesi ky është një fillim i ri për Irakun”. - tha në konferencën për shtyp kryeministri britanik Bler.


Kancelarja gjermane Angela Merkel gjendet në Kinë për një vizitë të rëndësishme me karakter ekonomik dhe diplomatik. Në takimin me kryeministrin kinez Ven Zhabao, kancelarja gjermane u ndal gjatë edhe në respektimin e të drejtave të njeriut, si pikë kyçe për zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet Gjermanisë dhe Kinës.


Frank Wisner, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Kosovën tha sot në Prishtinë se çështaa e statusit duhet të zgjidhet brenda vitit por nga ana tjetër kërkoi prej politikanëve kosovarë që të garantojnë të drejtat e pakicave etnike në Kosovë.







All the contents on this site are copyrighted ©.