2006-05-22 17:14:55

Dje në lutjen e Mbretëreshës qiellore, Benedikti XVI iu lut Zojës së Bekuar për shtegtimin e tij në Poloni, ia besoi Virgjërës Mari të gjithë njerëzit e uritur, posaçërisht në Darfur, kujtoi Ditën botërore të komunikimeve shoqërore dhe festën e të Shëlbuemit


( 22. 05. 06 R. V.) RealAudioMP3 Shumë tema që i ka për zemër preku Benedikti XVI në të dielën që i papraprinte nisjes për shtegtim apostolik në atdheun e Gjon Palit II; shpjegoi edhe kuptimin e të Ngjiturit të Krishtit në qiell, që në Shqipëri njihet si solemnitetit i të Shëlbuemit, foli për rolin e mjeteve të komunikimit në botë, për shuplakën e urisë ndër vendet e varfëra dhe për rëndësinë e asistencës për të sëmurët në prag të vdekjes.
Çdo njeri është i thirrur për jetën e pasosur në Mbretërinë e Zotit, Mbretëri e dashurisë, e dritës, e paqes: ky është mesazhi që buron nga të Ngjiturit e Krishtit në qiell e që i drejtohet mbarë njerëzimit. Këtë theksoi Benedikti XVI duke kujtuar festën e të Shëlbuemit, që bie këtë të enjte, pikërisht ditën e nisjes së Tij për në Varshavë e që disa vende do ta kremtojnë të dielën e ardhshme.
Kisha i shikon me vëmendje mediat, sepse janë mjet i rëndësishëm për të përhapur Ungjillin dhe për të favorizuar solidaritetin ndërmjet popujve, duke tërhequr vëmendjen mbi problemet e mëdha që i shqetësojnë akoma”.
E ndërmjet problemeve më të rënda, Ati i Shenjtë theksoi varfërinë, duke marrë shtytje prej manifestimit të djeshëm, organizuar nga Programi botëror për ushqimin. Dje në Romë dhe ndër qytete të tjera të njëqind vendeve të botës, dhjetra mijëra njerëz manifestuan nëpër rrugë me parullën: “Bota marshon kundër urisë!”. Ishte një mobilizim masiv për të sensibilizuar qeveritë dhe opinionin publik mbi nevojën e një aksioni të shpejtë e konkret, që t’u sigurojë të gjithëve e posaçërisht fëmijëve, “çlirimin nga uria”.
Uroj me gjithë zemër që, falë ndihmesës të të gjithëve, të kapërcehet plaga e urisë, e cila vijon ta tronditë njerëzimin, duke vënë në rrezik serioz shpresën e miliona njerëzve”.
Kështu u shpreh Papa, i cili më pas kujtoi në mënyrë të posaçme një zonë afrikane që vuan prej kohe nga lufta:
“Mendoj në radhë të parë për situatën urgjente e dramatike në Darfur, në Sudan, ku popullsia me vështirësi të mëdha arrin të sigurojë ushqimet më të domosdoshme për jetesën”
Ati i Shenjtë ia besoi Virgjërës Mari të gjithë vëllezërit që vuajnë nga shuplaka e urisë, njerëzit që u vijnë në ndihmë si dhe ata që, përmes mjeteve të komunikimit, japin ndihmesën e tyre për të fuqizuar lidhjet e solidaritetit e të paqes ndërmjet popujve. E, në përfundim, një lutje e posaçme:
“I lutemi Zojës së Bekuar edhe ta bëjë të frytshëm shtegtimin apostolik në Poloni që, në dashtë Zoti, do ta nis të enjten për ta përfunduar të dielën e ardhshme, në kujtim të Papës së dashur, Gjon Palit II”.
Pas lutjes së Mbretëreshës qiellore, Papa i siguroi besimtarët se, pavarësisht nga përgatitjet për shtegtimin në Poloni, nuk e harron as të shtunën, 3 qershor, natë e Rrëshajëve, kur do të takohet, në Sheshin e Shën Pjetrit, me besimtarët e më se njëqind lëvizjeve kishtare e bashkësive të reja nga mbarë bota, i vetëdijshëm për pasurinë e tyre formuese, edukative e misionare në shërbim të Kishës.
Në përfundim Ati i Shenjtë kutoi Ditën për lehtësimin e dhimbjes, që do të kremtohet në Itali të djelën e ardhshme:
Do t’i kujtoj në mënyrë të posaçme në lutje të sëmurët në prag të vdekjes si dhe ata që u rrinë pranë duke i ndihmuar ta përballojnë vuajtjen në mënyrë njerëzore”. 







All the contents on this site are copyrighted ©.