Sot u mbushen 500 vjet nga vdekja e Kristofor Kolombos
( 19. 05. 06 R. V. ) Të shumta nismat për të kujtuar lundërtarin e madh gjenovez i
cili, në vitin e largët 1492, zbarkoi në brigjet e Kontinentit Amerikan. Simbol
njerëzimit që kapërcen horizontet, Kristofor Kolombo vdiq më 20 maj, 500 vjet më parë,
në Valadolid të Spanjës, pothuajse i harruar nga bota, në kushte të rënda financiare.
Në vitin 1492, lundërtari i madh gjenovez, duke kërkuar të arrinte në Indi përmes
Atlantikut, zbuloi një kontinent të ri, i cili më pas do të quhej Amerikë. U harrua
dhe vdiq njëherë, për t’u radhitur, më pas, ndërmjet njerëzve më të mëdhenj të historisë
së njerëzimit. E këto ditë, pesë shekuj pasi ndërroi jetë, bota e kujton me veprimtari
të shumta. Ndërmjet kremtimeve më domethënëse, është Mesha solemne që u kremtua sonte
në katedralen e Shën Lorencit në Gjenovë, kryesuar nga kryeipeshkvi Tarçizio Bertone,
me pjesëmarrjen e mijëra gjenovezëve, krenarë sepse bashkëqytetarë të Kolombos të
madh. Të dëgjojmë, në mikrofonin e radios sonë, një nga drejtuesit e Komitetit italian
për kremtimet kolombiane, profesor Franko Salvatorin:
Përgjigje:
- Kolombo ishte sigurisht ëndrrimtar i madh, që diti të tërheqë vëmendjen e të
mobilizojë energji e mjete për realizimin e ëndrrës së tij… Por ishte edhe njeri shumë
praktik: të shkoje në Lindje, duke u nisur nga Perëndimi, do të thoshte të gjeje rrugën
më të shkurtër për interesat e kurorës spanjolle, për të arritur në tregjet lindore
nëpër një rrugë të re, duke pasur parasysh se lundrimin rreth Afrikës e kishin realizuar
të parët lundërtarët portugezë. Ishte, prandaj, problem që kishte të bënte me shkëmbimet
e edhe me mbisundimin politiko-ushtarak.
Pyetje: - Kolombo vërtetë arriti
në brigjet amerikane, por nuk e mori vesh kurrë se kishte zbuluar një kontinent të
ri….
Përgjigje: - Mbi këtë “kolombistët’ vijojnë të diskutojnë.
Ndonjë prej tyre është i bindur se Kolombo, pas një farë kohe, e kuptoi se kontinenti
ku kishte arritur ndryshonte nga Azia. Për shembull, kur zbarkoi në Venezuelë dhe
pa derdhjet e lumejve, nisi të kuptonte se nuk ishte në Çipango, në Japoni, por në
një vend shumë më të madh. Atëherë nisi ta quante botën ku kishte arritur ‘otro mundo’
– ‘bota tjetër” sikur të kishte arritur në Parajsë. Sigurisht ishte edhe kokëfortë,
në kuptimin e bindjes se kishte arritur në Lindje, dmth se lundrimi i tij nuk kishte
dështuar. E megjithse në këtë kuptim kishte dështuar vërtetë, mund të themi se ishte
një dështim fatlum, sepse me të filloi epoka moderne, u hap rruga drejt një bote që
u quajt menjëherë “Bota e re”.
Pyetje: - Ç’ka mbetur akoma për t’u studiuar
historikisht rreth figurës së lundërtarit të madh gjenovez?
Përgjigje:
- Çështja në se Kristofor Kolombo ishte vërtetë gjenovez: mbi këtë Universiteti
romak i Tor Vergatës po realizon një studim, duke u nisur nga ADN-ja e eshtrave të
bijve të Kolombos e po përpiqet të gjejë përkime të rezultateve me Kolombot që jetojnë
sot në Ligurie e në zonat fqinje. Nuk mund të themi se kjo do të jetë prova përfundimtare,
por do t’i shtohej provave të tjera, tashmë të besueshme, historike, që vërtetojë
se Kolombo ishte vërtetë gjenovez. Për shembull, mbetet për t’u zbuluar në se Kisha
e kohës e mbështeti sipërmarrjen e Kolombos, gjë që do ta kishte shtyrë sigurisht
të bënte një udhëtim në Romë, para se të nisej për Amerikë…
Pyetje: - Sipas
jush, cilat ishin arsyet kryesore që e shtynë Kolombon të nisej për një shtegtim kaq
të jashtzakonshëm?
Përgjigje: - Kolombo kishte edhe ndjenja të forta
fetare. Në shkrimet e tij gjejmë shenjat se pati një shtytje të thellë shpirtërore
për t’u nisur drejt Lindjes, që të çonte atje Ungjillin. Këtë e gjejmë ndër shkrimet
e tij, ndër shenimet e lëna anash faqeve të librave që kishte nëpër duar e që ua
la trashëgim pasardhësve. Pastaj duhet të kujtojmë vetë emrin e tij: Kristofor, që
do të thotë ai që sjell i Krishtin.