2006-05-19 18:14:49

Demokracia, që të promovojë të mirën e përbashkët, ka nevojë për institucione autoritare e të besueshme: kështu u tha Papa anëtarëve të Fondacionit Centesimus Annus


RealAudioMP3 (19. 05.06 R. V.) Institucionet demokratike nuk duhet të kenë si qëllim vetëm drejtimin e pushtetit, por edhe promovimin e drejtësisë shoqërore. Benedikti XVI rikujtoi kështu vlerën e demokracisë, temë kryesore e fjalimit që mbajti para anëtarëve të Fondacionit Centesimus Annus pro Pontefice, udhëhequr nga kryetari, Konti Lorenco Rosi di Montelera dhe nga kardinali Atilio Nikora, që i priti sot në audiencë në Sallën Klementine në Vatikan.
Pavarësisht nga ngadalësia me të cilën ecën nganjëherë, demokracia, në se përdoret mirë, mbetet mjeti historik më i vlefshëm për të përgatitur me përgjegjësi një ardhmëri të denjë për njeriun. Këtë vuri në qendër të vëmendjes Benedikti XVI në audiencën me Fondacionin Centesimus Annus, për të nënvizuar vlerën e jashtzakonshme të demokracisë, si sistemi më i përshtatshëm për bashkëjetesën njerëzore. Gjithsesi Ati i Shenjtë nënvizoi edhe pikat kritike të çdo sistemi demokratik:
Duhen siguruar, në radhë të parë, institucione të përshtatshme, të besueshme, autoritare, që nuk kanë për qëllim thjeshtë drejtimin e pushtetit publik, por janë edhe të afta për të promovuar pjesëmarrjen e vërtetë popullore në këtë pushtet, duke respektuar traditat e secilit komb e duke u përpjekur vazhdimisht për t’ia ruajtur identitetin. Po aq urgjente është edhe përpjekja e guximshme, afatgjatë dhe e pranuar nga të gjithë, për mbrojtjen e drejtësisë shoqërore”.
Demokracia – vijoi Papa – zbatohet plotësisht vetëm kur çdo njeri e çdo popull është në gjendje të sigurojë mjetet e domosdoshme të jetesës përmes një sistemi të përshtatshëm marrëdhëniesh të brëndshme dhe ndërkombëtare. Fjalë këto, që u pasuan nga porosia drejtuar të krishterëve për promovimin e solidaritetit të vërtetë:
Nuk mund të sigurohet ndryshe drejtësia e mirëfilltë shoqërore, përveçse në optikën e solidaritetit të vërtetë, që i impenjon njerëzit të jetojnë gjithnjë njëri për tjetrin e kurrë njëri kundër tjetrit ose në dëm të tjetrit. Gjetja e rrugës për ta konkretizuar këtë në kontekstin botëror, është sfida e madhe e të krishterëve laikë në ditët tona”.
Papa foli edhe për emrin e Fondacionit, Centesimus Annus që - tha Ati i Shenjtë - na kujton Enciklikën e fundit shoqërore të Gjon Palit II, në të cilën Papa Vojtila përmblodhi njëqind vjet të Magjisterit të Kishës në fushën shoqërore. Së fundi i nxiti anëtarët e Fondacionit të impenjohen që në zona të ndryshme kulturore të botës së sotme doktrina shoqërore e Kishës ta kryejë në mënyrë të qartë rolin e saj për përhapjen e Ungjillit.
I themeluar në vitin 1993 nga Gjon Pali II, Fondacioni Centesimus Annus pro Pontefice, statuti i të cilit është rishikuar në vitin 2004, ka qellime fetare e bamirëse. Punon kryesisht për studimin dhe përhapjen e doktrinës shoqërore të krishterë, siç shpjegohet posaçërisht në Encilkikën Centesimus Annus. Fondacioni organizon, ndërmjet tjerash, mbledhjen e fondeve për të mbështetur veprimtarinë e Selisë Apostolike dhe favorizon nismat që sigurojnë praninë e veprimtarisë së Kishës katolike në fusha të ndryshme të shoqërisë.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.