“Pakistani nuk stërvitë
terroristë dhe nuk i dërgon në Afganistan.” Kjo qe përgjigja e autoriteteve të Pakistanit
ndaj akuzave të kryeministrit afgan Hamid Karzai se ky vend është kthyer në bazë të
terroristëve talebanë. Dy ditët e shkuara në jug të Afganistanit pati beteja të përgjakshme
ndërmjet policisë dhe rebelëve talebanë.
Kryetari i Al Kaedës nuk është
më Osama Bin Ladeni. Lajmi sipas të cilit Bin Ladeni ia ka kaluar komandën Mullah
Omarit u publikua nga gazeta arabe Al Watan. Gazeta në fjalë citon shërbimet sekrete
pakistane, të cilat njoftojnë se Bin Ladeni tashmë luan vetëm një rol simbolik brenda
Al Kaedës.
Burime qeveritare izraelite bënë të ditur se pushteti ekzekutiv
është i gatshëm të zhbllokojë fondet e Autoritetit Kombëtar Palestinez për të shmangur
kolapsin e sistemit shëndetësor. Shtypi izraelian lajmëroi gjithashtu se nisën kontaktet
me palestinezët, për të caktuar një takim ndërmjet kryeministrit Ehud Olmert dhe presidentit
Abu Mazen.
SHBA-ës duhet të mbyllin të gjitha burgjet sekrete jashtështetit
dhe kampin e internimit të Guantanamos në Kubë, sepse përbëjnë shkelje të ligjit ndërkombëtar.
Ky është përfundimi i raportit paraqitur nga Komisioni i OKB-së kundër torturës. Ekspertët
e pavarur të komisionit u kërkuan gjithashtu SHBA-ës të të heqin dorë nga “çdo lloj
metode hetimi” që përbën në vetvete torturë ose keqtrajtim.
Qeveria japoneze
përgënjeshtroi lajmin botuar nga disa të përditshme se së shpejti do të provojë një
raketë me rreze të gjatë, në gjendje të godasë edhe SHBA-ës. Ndërkaq administrata
amerikane deklaroi se është e gatshme të nisë bisedime paqëtimi me Korenë e Veriut
si edhe të rihapë negociatat për çështjen bërthamore.
Tre të rinj u vranë
dhe gjashtë vetë të tjerë u plagosën nga një shkëmbim zjarri ndërmjet dy grupeve,
natën e kaluar, në qendër të Shkupit, në Maqedoni. Që të nëntë personat janë shqiptarë.
Policia ka filluar hetimet për të gjetur shkaqet dhe përgjegjësit. Ekipi negociator
i Kosovës i ofron palës serbe dhe OKB-së garanci të plota për trashëgëminë kulturore
dhe objektet e kultit, përfshi këtu edhe kishat e manastiret ortodokse serbe.
Duke
folur sot para gazetarëve në lidhje me çështjen e pesë kinezëve myslimanë të strehuar
në Shqipëri, kryeministri Sali Berisha tha se nuk gjen arsye se pse t’i dëbojë. “Këta
zotërinj nuk kanë kryer aktivitet terrorist. Autoritetet kineze janë të mirëpritura
të paraqesin dokumentacionin që provon fajësinë e tyre” - shtoi në fund të fjalës
së vet kryeministri Berisha.