2006-05-17 18:13:15

‘Kodi da Vinçi’ banal e mistifikues, por shumë i leverdishëm: imzot Bruno Forte, atë O’Kolins dhe profesor Vekoci shpjegojnë falsifikimet e veprës së Kodit da Vinçi


(18. 05. 06 R. V.)“Shfaqje e relativizmit në kohët tona”: kështu shprehet teologu Bruno Forte, kryeipeshkëv i Kieti-Vastos, për suksesin e filmit “Kodi da Vinçi”.
Regjisori i “Kodit da Vinçi”, Ron Hovard, nuk ka pranuar të shtojë një shënim në fillim të filmit, për të sqaruar se kemi të bëjmë me një fryt të fantazisë e jo me të vërtetën historike. Kërkesa e bërë nga Prelatura e Opus Deit e cila, në librin me të njëjtin titull të Den Braun, përshkruhet si një sekt, i cili bën çmos t’i fshehë të vërtetat themelore që kanë të bëjnë me origjinën e krishterimit. Po marrim vetëm një shembull nga romani. Në të shkruhet se paskej qenë Kostantini ai i cili, në vitin 325, me Koncilin e Nikesë, na paskej vendosur të flitej për Hyjninë e Krishtit. E ky s’është tjetër, veçse një falsifikim i mirëfilltë, siç nënvizon teologu Bruno Forte, kryeipeshkëv i Kieti-Vastos, intervistuar nga Radio Vatikani:

Përgjigje: - Të thuash se hyjnia e Jezusit qenka një lloj shpikjeje apo krijimi, që u bë më vonë, madje pas ca shekujsh, është absolutisht përpjekje artificiale, pa kurrfarë themeli, sepse ndër Ungjijtë Jezusi jo veç se njihet me titullin, të cilin bota hebraike ia jepte vetëm Zotit: “Kyryos – Zot”, por për më tepër quhet shprehimisht “Biri i Zotit”. E jo në kuptimin e përgjithshëm të fjalës, që përdorej nganjëherë në botën hebraike, por në kuptimin më të plotë e më të fuqishëm të Pashkëve, të dritës së Ngjalljes, që dëshmon se ai është Zot, është Shëlbues i botës. Këtë e gjejmë ndër Ungjijtë kanonikë. Jemi, pra, në shekullin I, në zanafillën e krishterimit. I gjithë krishtërimi, gjithçka është kristianizëm i parë në këndvështrimin historik, jo në këndvështirmin e një përvoje – ndonëse edhe kjo, me rëndësi vendimtare – siç është përvoja e fesë, nuk do të mund të shpjegohej, në se nuk nuk do të njihej në mënyrë absolute vetë Jezu Krishti si Zot, si Shëlbues, si Hyj, si Bir i Hyjit.

Pyetje: - Në të vërtetë falsifikimet që na propozon romancieri amerikan nuk janë aspak të reja: janë një shfrytëzim i traditës gnostike. …

Përgjigje: Të ashtuquajturit “Ungjij gnostikë”, ashtu si gjithë prodhimi heretik i shekujve të parë, depërtojnë në traditën e madhe të krishterë të zanafillës. Por doktrinat që, ndër vepra si “Kodi da Vinçi”, përpiqen të tingëllojnë si të besueshme, në të vërtetë janë absolutisht të mëvonshme dhe të falsifikuara dhe zakonisht, me qëllime politike. Ta shpjegojmë më qartë: arianizmi, që mohon, pikërisht, hyjninë e Jezusit, është fenomen politik. Autoriteti perandorak, për të afirmuar se perandori ishte një i vetëm, bënte të njëjtën gjë edhe me Zotin, duke e paraqitur misterin e Trinisë si diçka të pakuptueshme që nuk mund të pranohej.

Pyetje: - Qëndrimi që është mbajtur ndaj këtij romani, madje edhe nga besimtarët, a nuk duhet parë si shenjë e thellë e padijes së përhapur për themelet e fesë? Ç’pikëpyetje i lindin me këtë rast një bariu?

Përgjigje: - Mua më duket se kemi të bëjmë me një rast të fryrë me qellime ekonomiko-komerciale. Përsa i përket reflektimit letrar, shumë lexues, ashtu si unë, memëzi e kanë kryer së lexuari “Kodin da Vinçi”, pikërisht sepse i mungon plotësisht bukuria letrare. Ndërsa çdo pohim mbi Jezusin dhe mbi karakterin historik të Ungjijve gjatë dy shekujve të fundit, është bërë duke u nisur nga një diskutim kritik, duke të krijuar idenë e një pune të jashtzakonshme, të një gërmimi këmbëngulës, të një dokumentimi rigoroz. Në të vërtetë në roman nuk nuk ekziston kurrfarë dokumentimi: gjithçka është fryt i përhapjes banale të lajmeve të rreme, komerciale, të marra aty-këtu, ndërtuar në formë batutash që nuk kanë kurrfarë themeli historik. Mund të themi shkurt se serioziteti shkencor mungon krejtësisht. Atëherë, pse njerëzia e blejnë këtë libër? Pse e lexojnë? Sepse jemi në shekullin e bindjeve të fshehta , të propagandës, dmth në një shekull, në të cilin shumë shpesh suksesi i një vepre në treg nuk tregon absolutisht se ajo vepër ka edhe vlerë artistike. Nuk besoj se një vepër e tillë mund të ndikojë mbi jetën e ndokujt. Në se ndokush do ta braktiste fenë sepse ka lexuar “Kodin da Vinçi “, më duket se nuk do të dëshmonte tjetër, veçse nuk ka pasur kurrfarë feje, se ka besuar thjeshtë për forcë zakoni ose se nuk i ka bërë kurrë vetes pyetje serioze për Jezusin, për të pasur edhe përgjigje po aq serioze, duke fituar pjekurinë në fe.

Pyetje: - Benedikti XVI, që kur ishte kardinal, i pati porositur besimtarët të ruhen nga kurthet e relativizmit kulturor. A mund ta shpjegojmë suksesin e romanit, që përshkohet nga kuptimet e dyfishta dhe dyshimet, ndërmjet së vërtetës e fantazisë, si shprehje të këtij fenomeni në kohët tona?

Përgjigje: - Është e qartë se ndërgjegjet e shqeta, shpesh herë të brishta, pilotohen lehtë nga propozimet e librave që propagandohen, që shiten e përhapen me shpejtësi, pavarësisht nga vlerat, karakteristikë kjo e një sistemi ekonomiko-komercial mbi të cilin duhet të reflektojmë e që është pikërisht sistemi i globalizimit. Në këtë kuptim mund të thuhet se suksesi i “Kodit da Vinçi” është pjesë përbërëse e kancerit të relativizmit, nga i cili vuan struktura ekonomike e komerciale e fshatit global, që quhet botë. Është një fenomen, si të themi, i modës, e si i tillë edhe duhet vlerësuar, pa i dhanë kurrfarë peshe etiko-shpirtërore, sepse do të ishte nder tepër i madh për një vepër, së cilës nuk duhet t’i kushtojmë kurrfarë vëmendje, duke e vlerësuar për aq sa vlen, si vepër mode, që s’ka të bëjë fare me këndvështrim shpirtëror apo me kërkimin e Zotit e të vlerave.


“Mashtrim mjeshtëror” është titulli i një dokumentari, shfaqur dje në Romë, që shpjegon falsifikimet e “Kodit da Vinçi, një ditë para shfaqjes së filmit të frymëzuar nga romani i Den Braun. Me ne, Atë Gjerald O’Kollins

“Kodi da Vinçi, mashtrim mjeshtror” titullohet dokumentari, realizuar nga Mario Biazeti për agjensinë Rome Reports News, që tregon se romani i Den Braunit është ngritur mbi një kështjellë falsifikimesh. Video u paraqit dje në Sallën e Shtypit të Jashtëm në Romë. Në këtë takim, organizuar tri ditë para shfaqjes së filmit, morën pjesë, ndërmjet tjerëve, historiania e artit, Elizabet Lev dhe teologu jezuit i Universitetit Papnor Gregorian, atë Gjerald O’Kolins. Pikërisht atë Kolinsit iu lutëm të na flasë për falsifikimet kryesore të romanit e të filmit “Kodi da Vinçi”.

Përgjigje: - Brauni tregon se, me shtytjen e Kostantinit, hyjnia e Krishtit u shpall për herë të parë në vitin 325. Por kjo është krejtësisht e pavërtetë. Në Besëlidhjen e Re, e pikërisht në Ungjillin e Gjonit, Apostulli i drejtohet Jezusit me fjalët: “ Zoti im e Hyji im!”, ndërsa Letrat e Palit pohojnë vazhdimisht fenë në Krishtin si “Zot e Hyj”. Hyjnia e Krishtit nuk është doktrinë e shpikur në shekullin IV, por nis që me zanafillën e krishterimit! E pastaj vjen gënjeshtra e Braunit, që ka të bëjë pikërisht me Ungjijtë: sipas tij, në kohën e Kostantinit qarkullonin tetëdhjetë Ungjij; Kostantini zgjodhi katër prej tyre dhe e detyroi Kishën t’i përdorte vetëm këta. Ka shumë mundësi që Brauni të mos e dijë se të katër Ungjijtë njiheshin zyrtarisht nga Shën Ireneu dhe Etërit e tjerë të Kishës, që në shekullin II, dmth dyqind vjet para Kostantinit!

Pyetje: - Një nga elementet kryesore, mbi të cilat ngrihet romani, është trillimi i Den Braunit mbi lidhjet e Krishtit me Marinë Madalenë. Në të vërtetë mund të themi se edhe kjo sajesë nuk është ndonjë gjë e re…

Përgjigje: - Rezultati që dëshiron të arrijë, është të cënojë Jezusin, ta ulë në nivelin njerëzor, ta paraqesë si burrë të martuar, kryetar të një lëvizjeje të re fetare, me një fjalë, një Jezus që nuk është në gjendje ta kënaqë shpirtin tonë, i cili ka uri e etje për Zotin. Libri i Braunit nuk është i vetmi që provon ta cënojnë figurën e Jezusit. Për Braunin e të tjerët, Jezusi është figurë shqetësuese, e unë besoj se pas këtij libri fshihet pikërisht përpjekja për të pohuar se Jezusi ishte me natyrë thjeshtë njerëzore.

Pyetje: - Mirëpo si e shpjegoni ju suksesin e këtij romani, e mbi të gjitha, faktin se shumë lexues kanë arritur deri atje, sa të mendojnë se tezat e “Kodit da Vinçi” janë të vërteta?

 
Përgjigje: - Shumë njerëz dëshmojnë padijen e tyre të thellë në lëndën e Shkrimit Shenjt. Faji është yni. Ne, profesorët, nuk ia kemi dalë mbanesh t’ua mësojmë historinë e vërtetë të Kishës ose zanafillën e Ungjijve tanë kanonikë. Braun ka ditur të shfrytëzojë bestytnitë dhe padijen e miliona njerëzve. Është thjeshtë një libër i verdhë, ku përzjehen pak seks, pak fe, pak fshehtësi … përgatitet, kështu, një koktej që funksionon mjaft mirë.

Pyetje: - Romani i Den Braun ka nxjerrë në dritë të diellit, siç theksuat edhe ju, injorancën e thellë të shumë besimtarëve mbi zanafillën e fesë. Ç’përgjigje i duhet dhënë kësaj sfide kaq urgjente për Kishën? A mund të dalë edhe e mira, nga e keqja e një romani përplot me falsifikime?

 
Përgjigje: - Po! Një rezultat pozitiv i këtij libri si edhe i filmit mund të ishte krijimi i grupeve të studimit, i grupeve të njerëzve që interesohen. Vitin e kaluar isha në SHBA, ku fola për “Kodin da Vinçi”. Herën e parë u mblodhën katërqind vetë, të dytën edhe më shumë. Libri ka krijuar publik, ka krijuar interes, e tani është radha e katolikëve të përgatitur, e profesorëve katolikë, radha jonë, t’i ndihmojmë njerëzit për ta shuar urinë shpirtërore. Kemi, të paktën tani për tani, një publik vigan.


Gjeniu i falsifikuar: romani i Den Braun, e tani edhe filmi i frymëzuar prej tij, falsifikojnë veprën e Leonardo da Vinçit. Për këtë na flet profesor Aleksandër Vecozi
Suksesi i romanit të Den Braunit lidhet me emrin e Leonardo da Vinçit, të cilit ia falsifikon si figurën, ashtu edhe veprën. Në romanin e tij, nga i cili frymëzohet filmi që nisi të shfaqet sot, Braun mbështet tezën se në ‘Darkën e Mbrame’ të Leonardos, njeriu që është ulur pranë Jezusit, nuk është Shën Gjoni, dishepulli më i ri, por Maria Madalena. Tezë pak si tepër e çuditshme kjo, siç nënvizon profesori Aleksandër Vecozi, drejtor i Muzeut ‘Leonardo da Vinçi’, intervistuar nga Radio Vatikani:

Përgjigje: - Mbi këtë temë të veçantë, të Shën Gjonit Apostull pranë Jezusit, nuk ka dyshime, sepse të gjithë e dimë se Leonardo pikturoi skenën e Darkës së Mbrame të Jezusit me Dymbëdhjetë Apostuj. Nuk ka pikturuar katërmbëdhjetë vetë, siç ngjet nganjëherë ndër episode të tjera të historisë së artit. Mund të themi, prandaj, se kemi të bëjmë me një provokim me efekt që s’ka të bëjë aq me letërsinë, sa me tregun e letërsisë. Një hamendje të tillë mund ta rrëzojmë në shumë këndvështrime, edhe në atë teknik, duke pasur parasysh se në pikturën e Rilindjes, fytyra e Gjonit është paraqitur gjithnjë me një ëmbëlsi të jashtzakonshme. Nga hyrjet historike të ‘Kodit da Vinçi’ është hequr një frazë e cila, fillimisht, krijonte vërtetë konfuzion. E kjo frazë mbështeste tezën se të gjitha veprat e artit, burimet historike, dokumentat edhe të sekteve të fshehta, ishin e vërtetë e pastër historike. Si është hequr kjo frazë, autori i romanit fiton më tepër liri për të provokuar, për të shpikur…
 
Pyetje: - Ndërmjet tjerash, Den Braun thotë edhe se Mona Liza është autoportet hermafrodit… A mund të vërtetohet kjo tezë, apo edhe këtu kemi të bëjmë me një trillim?

 
Përgjigje: - Kodi da Vinçi është shkruar duke pasur parasysh më shumë efektin se sa thellësinë letrare, cilësinë artistike. Në këtë kuptim, Gjokonda e Leonardos është një nishan që mund të qëllohet lehtë, dmth që mund të zgjojë menjëherë kureshtjen e lexuesit. Provokimi do të funksiononte, në se nuk do të ishte fare e lehtë për ta hedhur poshtë. Gjithsesi kujtoj se ka një traditë të çuditshme, sipas të cilës shumë studiues e besojnë këtë tezë, për mua të pabesueshme. Mjafton të vëmë ballë për ballë autoportretin e Torinos dhe fytyrën e Gjokondës, për të vërejtur menjëherë se buzët, hunda, posaçërisht sytë, e edhe qepallat, nuk kanë kurrfarë përkimi. Nuk gjejmë kurrfarë ngjashmërie, ndonëse vetë Leonardo shpeshherë pohonte se artistët pikturojnë vetveten. Në të vërtetë, pikturojnë idenë e tyre mbi pikturën. Gjokonda nuk ka kurrfarë ngjashmërie me portetin e Leonardos, ndërsa tema e figurës hermafrodite është një nga provokimet e romanit. Mund të themi se në këtë portret gjejmë idenë e Leonardos mbi pikturën, me të gjitha ndërlikimet e jashtzakonshme të vlerave estetike e konceptuale të veprës, tepër larg nga çdo lloj banaliteti që na propozon në këtë rast Den Brauni.

Pyetje: - Duke lexuar “Kodin da Vinçi” përfytyrojmë një Leonardo misterioz, që s’mendon tjetër, veçse të shënojë kode në veprat e veta, një lloj magjistari…. Juve, që ia keni kushtuar gjithë jetën studimit të gjeniut të madh, ç’përshtypje ju bëjnë këto teza?
 Përgjigje: - Kodi da Vinçi e banalizon madhështinë e Leonardos. Mund të them se ky është një çast delikat, në të cilin Leonardo është më i famshëm se kurrë e njëkohësisht, më i marrë nëpër gojë se kurrë. Në faqen e famshme 62 të botimin të parë italisht të ‘Kodit’, radhitet gjithë seria e keqkuptimeve dhe e dyshimeve rreth figurës së gjeniut. Leonardo, që ishte kundër falltorëve e alkimistëve e që kërkonte me durim të madh të vërtetën shkencore, na paraqitet si magjistar e alkimist. Pastaj vijnë me radhë trillimet mbi Leonardon, që sipas Braunit, shpikte vegla torture, që zhvarroste të vdekurit e që kishte përkrahjen e shejtanit. Një serë aluzionesh tepër larg nga e vërteta. E më pas vjen edhe hipokrizia shpirtërore e Leonardos ndaj Kishës. Shkruhet se da Vinçi paskej pikturuar qindra vepra kishtare, e pavërtetë edhe kjo, sepse në realitet Leonardo ka realizuar shumë pak vepra të kësaj natyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.