2006-05-15 17:39:36

Dje, në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, Papa theksoi: “Shkaqet shqetësuese për të ardhmen e njerëzimit vijojnë, por Zemra e Papërlyer e Virgjërës Mari do të ngadhënjejë”


( 15. 05. 06 R. V. ) RealAudioMP3 Në lutjen e djeshme të Mbretëreshës Qiellore, Benedikti XVI kujtoi premtimin e Zojës së Fatimës: shkaqet shqetësuese për të ardhmen e njerëzimit vijojnë, por Zemra e Papërlyer e Virgjërës Mari do të ngadhënjejë. Papa kujtoi edhe 25-vjetorin e atentatit kundër Gjon Palit II.
Edhe pse ka ende shkaqe që të bëjnë të shqetësohesh për të ardhmen e njerëzimit, në fund të fundit Zemra e Papërlyer e Virgjërës Mari do të ngadhënjejë. Këtë theksoi dje Papa gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore në Sheshin e Shën Pjetrit, duke kujtuar premtimin e Zojës së Bekuar në Fatima dhe 25-vjetorin e atentatit kundër Gjon Palit II, parë në dritën dukjeve të Virgjërës Mari. Benedikti XVI i nxiti besimtarët të jenë dëshmitarë të guximshëm të së vërtetës së Ungjillit e të gëzimit të Pashkëve, me forcën e dashurisë që buron nga bashkimi me Jezusin.
Papa shpjegoi Ungjillin e së Dielës V të Pashkëve, në të cilin Jezusi i nxit nxënësit e tij të qëndrojnë të bashkuar, si shermendi me hardhinë:
“Është një shembëlltyrë vërtetë kuptimplote, sepse shpreh me forcë të madhe idenë se jeta e krishterë është mister i bashkimit me Jezusin: “Kush mbetet në mua e unë në të, thotë Zoti, ai jep shumë fryt, sepse pa mua s’mund të bëni asgjë” (Gjn. 15, 5). Sekreti i fekonditetit shpirtëror është bashkimi me Zotin, bashkim që realizohet, mbi të gjitha, në Eukaristi, që me të drejtë quhet edhe bashkim (Kungim)”.
Benedikti XVI kujtoi se pikërisht në këtë periudhë të vitit shumë nga bashkësitë famullitare kremtojnë Kungimin e parë të fëmijëve. Të gjithë atyre që e takojnë për herë të parë Jezusin Eukaristi u bëri një urim të posaçëm: i uroi të bëhen shermend të Hardhisë, që është Krishti e të rriten si nxënës të vërtetë të Tij.
Rruga e sigurtë për të mbetur të bashkuar me Krishtin, si shermendët me hardhinë - shtoi Ati i Shenjtë – gjindet me ndërmjetësimin e Virgjërës Mari, të cilën të shtunën e kaluar Kisha e nderoi posaçërisht, duke kujtuar se më 1917, në Fatima, Zoja e Bekuar iu duk disa herë tre barinjve të vegjël, Françeskut, Gjaçintës e Luçisë:
“Mesazhi që u besoi atyre, në vijim të atij të Lurdës, ishte një thirrje e fortë për lutje e pendesë; mesazh vërtetë profetik, duke pasur parasysh shekullin XX, shekull i shkatërrimeve të pashembullta, të shkaktuara nga luftërat e nga regjimet totalitare si dhe nga persekutimet e panumërta kundër Kishës”.
Papa kujtoi, në dritën e këtyre dukjeve, edhe 25-vjetorin e atentatit kundër Gjon Palit II: ishte 13 maji i vitit 1981. Papa Vojtila ndjeu se kishte shpëtuar mrekullisht nga vdekja nëpërmjet ndërhyrjes së një dore amtare, siç tha ai vetë, dhe gjithë papnia e tij u përshkua nga paralajmërimi i Virgjërës Mari në Fatima:
“Në se nuk kanë munguar kujdeset e vuajtjet, në se ka ende arsye shqetësimi për të ardhmen e njerëzimit, të ngushëllon premtimi që “Zonja e Bardhë” u pati bërë barinjve të vegjël: “Në fund Zemra ime e Papërlyer do të ngadhënjejë!”.
E në sa dje kremtohej festa e nënës, Benedikti XVI iu lut Nënës së Zotit t’i ruajë Kishën e njerëzimin e posaçërisht, familjet, nënat e fëmijët.
Në përfundim të Lutjes mariane Papa, pasi i përshëndeti shtegtarët në gjuhët kryesore të botës, bëri edhe një përshëndetje në gjuhën latine, drejtuar nxënësve dhe mësuesve të kolegjit holandez ‘Corderius’ të Amersfortit, të cilët i nxiti t’i shfrytëzojnë sa më shumë thesaret e dijes së lashtë përmes gjuhës latine.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.