( 14. 05. 06 R. V. ) Sot Kisha katolike
kremtoi të Dielën V të Pashkëve; përkujtoi edhe Shën Matinë Apostull e Shën Mikelin,
themelues i Priftërinjve të Zemrës së Krishtit.
Ta duash Zotin do të thotë
të bësh vullnetin e tij çdo çast. Këtë na kujtojnë Shën Sofia, Shën Torkuati ipeshkëv
i Godiksit dhe Shën Isidori bujk, festa e të cilëve do të kremtohet nesër.
Të
martën e ardhshme do të përkujtohen Shën Aleksandri, ipeshkëv i Jeruzalemit,
martir dhe Shën Ubaldi, ipeshkëv i Gubios. Në liturgjinë e festës së tyre Jezusi na
përsërit se dëshiron të mbretërojë në zemrat tona, duke na larguar nga shpirti çdo
trazim.
Shën Pashkual Bajloni, laik françeskan, Pajtor i Shoqatave
eukaristike, që Kisha do ta kremtojë të mërkurën e ardhshme, na fton të shkojmë
me gëzim në shtëpinë e Zotit e të kujtojmë se i krishteri është i thirrur të sjellë
fryte pendese e shenjtërie, gjithnjë i mbështetur në hirin e Zotit.
“Zoti
do atë që dhuron me gëzim” është mësimi që na japinShën Gjoni I papë e martir
e Shën Feliçi, rregulltar kapuçin, që do të përkujtohen të enjten e ardhshme.
Të
premten, pastaj, do të përkujtohen Shën Pjetër Çelestini V papë, Shën Urbani papë,
Shenjtorët Parteni e Kallogjeri martirë, Shën Ivoja meshtar e Shën Krispini nga Viterbo,
rregulltar kapuçin, që na kujtojnë se kulmi i dashurisë është t’ua dhurosh të tjerëve
gjithë vetveten.
Të shtunën do të kremtohet Shën Bernardini nga
Siena, meshtar françeskan, që na kujton se krishterimi nuk është i lehtë, por i lum.
Të krishterët e vërtetë do të urrehen ose do të kundërshtohen gjithnjë. E ka parafolur
vetë Jezusi, që është e Vërteta, por kush do të vijojë të ecë në rrugën e Tij, do
të shëlbohet.