Meshtaria është e domosdoshme për jetën e Kishës: këtë theksoi sot Benedikti XVI në
fjalimin drejtuar ipeshkvijve të Kuebekut, në vizitë ‘ad Limina’
( 11. 05. 06 R. V. )Papa i nxiti prelatët t’i ndihmojnë besimtarët për të rizbuluar
kuptimin dhe praktikën e kremtimit eukaristik. E kjo duhet bërë, sepse roli i Eukaristisë
në Kishë është themelor. Eukaristia është dhurata e Zotit për jetën e botës. E po
ashtu është me rëndësi të dorës së parë lidhja e ngushtë e të krishterit me Kishën
e me moralin e saj. Besimtarët duhet të binden se pjesëmarrja në Meshën e së dieles
ka karakter jetik, aq më tepër në një vend si Kuebeku, ku ndjehet fuqimisht pluralizmi,
subjektivizmi e shekullarizmi gjithnjë në rritje. Duke kujtuar Ditën Botërore të Rinisë
të Kanadasë, Papa theksoi se pati një ndikim të fuqishëm mbi të rinjtë, të cilëve
u krijoi kushte për rizgjimin shpirtëror. Nga kjo përvojë – u tha Ati i Shenjtë prelatëve
– buron forca, ngushëllimi e shpresa jonë për të ardhmen.