2006-05-11 14:50:47

Lajme shoqërore-politike: 10 maj


( 10. 05. 06 R. V. )Gjorgjo Napolitano, 81 vjeç, u zgjodh sot president i Republikës Italiane. Pas tri ditësh votime të fshehta dhe pa rezultate, mazhoranca e majtë arriti të sigurojë votat e nevojshme për të caktuar Napolitanon në postin më të lartë shtetëror. Ish-kryeministri Berluskoni i bëri urimet e rastit presidentit të ri por edhe shprehu shqetësimin se tani të gjitha poste kyçe, përfshi senatin dhe parlamentin, i përkasin së majtës, ndërkohë që 50% e italianëve, që votuan në zgjedhjet e fundit për qendrën e djathtë nuk u përfaqësuan fare në qeverisje.


Presidenti Putin mbajti sot para parlamentit rus raportin e përvitshëm mbi situatën e Federatës Ruse. Gara ndërkombëtare e armatimeve që nuk ka mbaruar ende dhe nevoja e një reforme rrënjësore në OKB ishin pikat themelore të fjalimit të presidentit. Përsa i përket energjisë, presidenti rus vuri në dukje se së shpejti në Rusi do të krijohet bursa për shitblerjen e gazit dhe naftës me valutë bazë rublën.


Mbledhja e sotme e Asamblesë Parlamentare Irakiane që duhet të kishte shpallur formimin e qeverisë së re të Al Malikit, përfundoi në një kaos të vërtetë. Gjendje në krejt vendin vijon të jetë e tensionuar. Vetëm në Bagdad, sipas Presidentit Talabani, muajin e kaluar pati 1000 viktima nga konfliktet ndërfetare.


Ministrat e jashtëm të SHBA-së, Bashkimit Evropian, Rusisë dhe OKB-së, të katërshes që merret me Lindjen e Mesme, arritën në Nju Jork një marrëveshje për të ndihmuar Autoritetin Kombëtar Palestinez tani që vendi qeveriset nga Hamasi. Bëhet fjalë për fonde që do t’i jepen popullit palestinez pa kaluar nëpër duart e qeverisë së re, e njohur si mbështetëse e terrorizmit.


Gjatë vizitës së tij në Indonezi, presidenti iranian e përkufizoi shqetësimin e vendeve perëndimore për çështjen bërthamore si “një gënjeshtër të madhe”. Pastaj presidenti iranian vuri në dukje se programi bërthamor i vendit të tij ka qëllime tërësisht paqësore.


Kina pezulloi sot të gjitha takimet e parashikuara me përfaqësuesit e qeverisë shqiptare pas kundërshtimit të Tiranës për t’i dorëzuar pesë kinezët myslimanë. Po sot Uashingtoi bëri të ditur se vetëm shteti shqiptar pranoi t’u japë azil kinezëve ndërkohë që 20 vende, përfshi Turqinë dhe Gjermaninë, e refuzuan këtë kërkesë të SHBA-ës.







All the contents on this site are copyrighted ©.