Filmi “Kodi da Vinçi”, që nisi të shfaqet ndër kinematë, duhet parë me sy kritik si
krijim i dyshimtë i fantazisë së shkrimtarit, që fyen ndjenjat e besimtarëve katolikë
( 10. 05. 06 R. V. ) Kodi i dykuptimtë:
mbërrin në sallat e kinemasë filmi i frymëzuar nga romani i Dan Braun. Reflektimi
i historianit Franko Kardini. “Nuk është as i besueshëm as i aftë
si historian”. Me këto fjalë, më 7 prillin e kaluar, gjykatësi Peter Smit e shpalli
të pafajshëm romacierin Dan Braun që ishte akuzuar për kopjim të veprës ‘Graali i
shenjtë’, botuar në vitin 1982, bazuar mbi dokumente të rreme. Tani në sallat e kinemasë
të gjithë botës, arrin filmi i ri, i shoqëruar me parrullën “E vërteta do të zbulohet”.
Jemi para një fraze me dy kuptime, që nuk mund të konsiderohet e padëmshme. Me që
romani mbi të cilin bazohet filmi, është përkthyer prej kohe në gjuhën shqipe, duke
shkaktuar jo pak diskutime, krejtësisht të pabazuara natyrisht, e duke pasur parasysh
se do të arrijë edhe filmi, ftuam në studion tonë historianin Franko Kardini
për një reflektim mbi filmin e ri.
- Nuk ka dyshim se modeli i madh i Dan
Braunit është paraletrar e parahistorik. Dan Braun bën kundra Opus Dei, atë që,
duke nisur nga shekulli XVIII, është bërë kundër Shoqërisë së Jezuitëve: i shikon
rregulltarët e Opus Deit si fanatikë të devoçëm, që punojnë verbërisht në shërbim
të Kishës e nuk ndalen para asgjëje, kur bëhet fjalë për të mbrojtur pushtetin e tyre.
Shoqëria e Jezuitëve në rrjedhë shekujsh ka qenë krejt ndryshe nga ç’e kanë paraqitur
kundërshtarët e, megjithatë, duke nisur nga shtatqinda, tradita, në fillim protestante,
pastaj antiklerikale, e paraqiti ashtu si i interesonte. Kyçi i leximit për të kuptuar
atë që shkruan Dan Braun për Opus Dei-n, duhet kërkuar në faktin se shkrimtari, në
sa merr pendën në dorë, ndjehet i sigurtë se do të ketë sukses. E është kjo që ka
rëndësi për të.
- Tek Dan Braun vërehet një rikujtim këmbëngulës i të ashtuquajturit
parim mbi rolin parësor të femrës në Kishë…
- Frymën
e fortë feministe Dan Braun e ka marrë në nivelin më të ultë, sepse ky është niveli
nga i cili arrihet suksesi mas medial. Ripërsërit kështu një traditë të vjetëruar,
që nis me Margaret Murrai, shkrimtare e shekullit të kaluar, autore e romanit “Zoti
i shtrigave”, për të ricikluar historinë, pa kurrfarë baze antroplogjike, të Zotit
me origjinë femërore, fekondues, i mirë paqësor, i cili më pas zevendësohet me Zotin
e ushtrive, Hyun e priftërinjve e të luftëtarëve. E ky na qenka Zoti i vetëm i Abrahamit,
Zot i egër, shtypës, mizor…
- Spoti i filmit që frymëzohet nga libri njofton:
“Nuk ka rëndësi çka besoni, ç’ keni lexuar, Kodi da Vinçi do t’ju zbulojë të fshehtën”.
Ndoshta është ky kumti që i ngacmon më shumë besimtarët…
-
Të krijohet ideja se filmi është ngritur mbi një supozim antikatolik. E kujdes, po
e theksoj, antikatolike. Kjo natyrisht e bën gjithçka më të dyshimtë. Ç’do të thotë
të heqësh dorë nga çka beson, për të shijuar shfaqjen e një filmi? A mund të shijohet,
pastaj, një film, në se në një farë pike të tij, besimtari e ndjen veten të fyer në
elemenetet më intime që përbëjnë fenë e tij? Sigurisht jo! Ky nuk është film i padëmshëm,
i parrezikshëm e prandaj nuk mund të konsiderohet as si fryt i pastër i fantazisë,
edhe pse fantazia mund të shtihet qetësisht në punë duke shfrytëzuar objekte të tjera,
që nuk fyejnë askënd në ndjenjat më të thella. Nuk mund të mos më lindë pyetja: a
do të ishte e gatshme shoqëria civile, edhe ajo laike, të pranonte një film që fyen
rëndë ndjenjat fetare të hebrenjve, të myslimanëve e të budistëve? Do të ngrihej,
sigurisht, një kor i rebeluar zërash, edhe nga ana e laikëve, përballë një fyerjeje
të tillë të ndjenjave fetare të besimtarëve e kështu me radhë…Tashti vijoj të pyes:
pse kundër katolikëve mund të bëhen gjëra, që asnjë nga ne nuk mund as t’i mendojë
se mund të bëhen kundra hebrenjve, myslimanëve ose besimtarëve të feve të tjera? -
Ç’ përgjigje mund t’u japim atyre që flasin për lirinë e kritikës?
-
Liria e kritikës, e satirës e edhe e fantazisë mund të ushtrohet lirisht në shumë
drejtime. Unë pyes: a do të ishte e mundur sot të bëhej në Perëndim një film që do
të vinte në lojë vlerat e lirisë e të demokracisë, në të cilat, ndonëse në mënyra
të ndryshme, besojmë të gjithë dhe i mbrojmë të gjithë? A do të ishte e mundur të
bëhej një film që të tallej, bie fjala, me shfarosjen e hebrenjve nga nazistët e,
si fryt i fantazisë, të krijonte një Hitler ose një Stalin pozitiv, simpatik, përballë
demokracive të mëdha negative, antipatike të Perëndimit. Pa dyshim që nuk do ta pranonim!