2006-05-08 17:30:45

Në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, pas kremtmit të djeshëm në Bazilikën e Shën Pjetrit, Benedikti XVI falënderoi Zotin për meshtarët e rinj të sapo shuguruar në Ditën botërore të lutjes për thirrjet meshtarake


( 08. 05. 06 R. V. )Dje gjatë uratës së Mbretëreshës Qiellore, Papa Benedikti XVI u lut kryesisht për thirrjet meshtarake, në ditën Botërore kushtuar atyre.
Dje Papa e tha lutjen e Mbretëreshës Qiellore menjëherë pas kremtimit në bazilikën e Shën Pjetrit, ku kishte shuguruar 15 diakonë. Prandaj falënderoi Zotin për meshtarët e rinj të saposhuguruar në Ditën botërore të lutjes për thirrjet meshtarake. Duke i kujtuar turmës vigane, mbledhur poshtë dritares së studios së tij private, rëndësinë që ka çdo thirrje brënda Kishës – që nga ajo e familjes, tek thirrja për t’ia kushtuar gjithë jetën Zotit e të afërmit, Papa ripohoi lidhjen e ngushtë të jetës së krishterë me sakramentet që - theksoi Ati i Shenjtë – e përtërijnë miqësinë personale me Krishtin. E, duke marrë shtytje nga mesazhi i tij për ditën e djeshme të lutjes, Papa shtoi:
Ja pse – siç kam pohuar në mesazhin e rastit – misioni i meshtarit është i pazevendësueshëm, e edhe në se ndër disa zona vërehet mungesë kleri, nuk duhet dyshuar se Hyji do të vijojë të thërrasë djem, të rinj e të rritur që të lenë gjithçka, për t’iu kushtuar predikimit të Ungjillit dhe misionit meshtarak”.
Në çastin e përshëndetjeve në shumë gjuhë, ndërmjet tjerëve, Benedikti XVI iu drejtua posaçërisht familjarëve dhe miqve të Rojeve Zvicerane – këto ditë në qëndër të kremtimeve me rastin e 500-vjetorit të themelimit të tyre, si dhe anëtarëve të policisë të Shtetit Italian, që kremton 154 vjetorin e shërbimit.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.