Sot në mesditë në Shenjtëroren e Zojës Rruzare në Pompei të Italisë dhe në të gjitha
Kishat në mbarë botën, është lutur Nëna Qiellore, Zoja Rruzare për paqen universale.
(8.05.06.R.V.)Sot,
në Shenjtëroren e Pompeit në Itali, gjatë një kremtimi të kryesuar nga vikari i Papës,
Kryeipeshkvi Angelo Komastri, u tha lutja tradicionale drejtuar Zojës Rruzare me
pjesëmarrje të mijëra e mijëra besimtarëve. Po kështu edhe në Kisha të mbarë botës,
në mes ditë është lutur Nëna Qiellore, Zoja Rruzare. Kjo ngjarje Lidhet me një
traditë të lashtë, që nis në vitin e largët 1571. Më 7 tetor 1571 në Lepanto,
në ngushticën që ndan Gjirin e Patrasit nga Korinthi, koalicioni i formuar nga Venediku,
Spanja dhe Shteti papnor arriti një fitore të paparë deri në atë kohë kundër flotës
turke, të përbërë nga 274 anije e të komanduar nga Ali Pasha. Anijet u mbytën të gjitha
ndërsa komandanti mbeti i vrarë gjatë betejës. Ishte një ngjarje që pati jehonë të
jashtzakonshme në gjithë botën e krishterë, gjë që e shtyu papën Piu V të caktonte
një festë falënderimi, e cila u quajt "Shën Maria e Fitores" Kjo festë më 1716
u shtri në mbarë Kishën universale dhe u fiksua përfundimisht më datën 7 tetor nga
Shën Piu X në vitin 1913. Festa e Zojës Rruzare, siç u quajt më pas - do të përmblidhte
të gjitha festat e Zojës dhe misteret e Krishtit, që pati gjithnjë pranë Nënën e tij
të Virgjër. *** Ndërsa Lutja e Pompeit nisi të përhapej, para së gjithash,
nga intuita profetike që Bartolomeo Longo, avokat i ri italian, pati në një nga rrugët
fshatarake të Pompeit, si ishte kthyer në rrugën e Zotit, pas një periudhe të shkurtër
hutimesh rinore. Zoja i tha se duhet t’ia kushtonte jetën devocionit të Rruzares dhe
përhapjes së saj, duke e bërë luginën e Pompeit vend kushtuar Jezusit e Zojës së Bekuar
e pikë referimi për gjithë Kishën. Pas kësaj ngjarjeje të 2 tetorit 1872, Bartolomeo
Longo bleu një truall për ngritjen e Shenjtërores, me pëlqimin e ipeshkvit të Nolës.
Guri i parë i këtij tempulli qe vënë pikërisht më 8 maj të vitit 1976, pranë rrenojave
të Pompeit të lashtë, i cili qe mbuluar me hi e llavë nga shpërthimi i vullkanit Vezuv. *** Këto
rrenoja duket sikur flasin, sikur qortojnë, sikur thonë: fati i njeriut është i pasigurtë;
siguria mund të gjindet vetëm tek Ungjilli që shpëton, që shëlbon! E Rruzarja është
një shtesë efikase e Ungjillit, për t'ia kumtuar Krishtin një shoqërie që po largohet
përherë e më shumë nga vlerat e krishtera. Por Rruzraja është edhe lutje gjithnjë
aktuale për të përhapur mesazhin e paqes, posaçërisht në fillimin e një mijëvjeçari
i cili është fshikulluar nga erërat e acarta të luftës. Nën masën vigane të vullkanit
të Vezuvit - i cili dymijë vjet më parë shkatërroi tre qytete, duke fiksuar dramatikisht
në kohë hollësitë e kësaj historie, të cilat na i kthen si një dokument të jashtzakonshëm
historik nën qiellin e hapur, në Shenjtëroren e Pompeit, jehoi përsëri lutja drejtuar
Zojës Rruzare, krijuar më 1883 nga i Lumi Barto Longo me rastin e bekimit të këmbanës
së parë të Bazilikës. Tradita e përvitshme u përsërit sot në tremen e Shenjtnores,
para fasadës kushtuar ‘Paqes universale’, me një kremtim kryesuar sivjet nga kryeipeshkvi
Angelo Komastri, vikar i Papës për Qytetin e Vatikanit. Për t’i bashkuar të gjithë
ata që e ndjejnë veten thellësisht të lidhur me Nënën e Zotit, lutja, titulluar “Shprehje
e dashurisë për Marinë” , thuhet njëkohësisht në të pesë Kontinetet, pikërisht në
mesditë. Beato Longo, themelues i Pompeit të Ri, e pati quajtur “Ora e botës”. Mijëra
besimtarë u dyndën sot kudo në botë drejt shenjtëroreve të Zojës Rruzare ose shenjtëroreve
të tjera mariane, ku pikërisht në mesditë një kor vigan besimtarësh, që përshkoi Planetin,
lartoi drejt qiellit njëzëri, të njëjtën lutje! Ndërsa në sfondin e Pompeit të
lashtë, Rruzarja mori përsëri vlerë simbolike; foli për një hov të ri të kumtimit
të krishterë në kohët tona. E ky kumtim, i konkretizuar posaçërisht në ftesën për
vëllazëri universale e, në fillim të mijëvjeçarit të tretë, tingëlloi si lutje për
paqe. Misteret e dritës, shtuar formës klasike të Rruzares nga Gjon Pali II, që
shoqëruan sot lutjen mariane, jehuan në të pesë kontinentet, ndërsa në elterët e kishave
të Evropës, Azisë, Afrikës, Amerikës e Oqeanisë ndritën si yjet qirinjtë e ndezur
tek këmbët e Zojës Rruzare, sikur të donin të projektonin dritën e Krishtit mbi konfliktet,
tensionet e dramat e të pesë kontinenteve. Nënvizuan kështu intuitën profetike të
Bartolomeo Longos, që e lidhi fasadën e tempullit marian pikërisht me paqen universale,
duke i ftuar të gjithë të jenë veprimtarë të paqes në gjurmët e të Lumit, që diti
të bashkojë lutjen me veprimin, duke e bërë Pompein marian, "Kështjellë bamirësie".
Eshtë një intuitë që tingëllon aktuale në fillim të këtij mijëvjeçari, të fshikulluar
nga erërat e luftës dhe të mbrujtur me gjakun e shumë vendeve të botës.