2006-05-07 17:16:07

Rubrika “Shenjtorët e Javës”


( 07. 05. 06 R. V. )Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën IV të Pashkëve; përkujtoi edhe Shën Flavia Domitilën, martire romake dhe të Lumen Roza Venerini, Virgjër, themeluese e Mësueseve të përshpirtshme Venerini,
Nesër e hënë, do të përkujtohen Shën Viktori, martir i Milanos; Shën Bonifaci IV papë; Shën Benedikti II, papë dhe Shën Arseni, diakon romak që na përcjellin mesazhin: “Shpirti im ka etje, për ty, o Zot”, duke na kujtuar se Jezusi, Bariu i mirë, ecën para nesh e na prin drejt jetës së amshuar. Ne i besojmë, sepse e dimë që na do!
Të martën e ardhshme do të përkujtohen Shën Pakomi, abat e Shën Izaia profet. Jeta e tyre tingëllon si ftesë drejtuar mbarë njerëzimit “Ju popuj të tërë, lavdërojeni Zotin, ndiqeni pas Jezusin, Bariun e mirë. Ai është i vetmi që ju mbron, sepse i përkisni!”.
Jeta e Shën Antoninit, e Shën Jordanit martir, e Shenjtorëve Kuarti e Kuinti, martirë dhe Shën Jobit, që Kisha do t’i kremtojë të mërkurën e ardhshme, na kujton se Jezusi erdhi për të shpëtuar botën: kush i beson, hyn në dritën e vetë Zotit Atë.
Të enjten do të përkujtohen Shenjtorët Gualtieri e Antimi, martirë, që dhanë për Jezusin dëshminë e gjakut, sepse ishin bërë një gjë e vetme me Të.
Të premten e ardhshme do të përkujtohen Shenjtorët Nereu e Akileu, martirë dhe Shën Pankraci, martir, që na kujtojnë se shpresa e krishterë i kapërcen kufijtë e vdekjes.
Të shtunën do të kremtohet Zoja e Bekuar e Fatimës dhe Shën Maria Domenika Mazarelo. Na ftojnë të përpiqemi për t’u bërë një gjë e vetme me Jezusin e me Atin Qiellor. Kështu jeta tokësore shndërrohet e njeriu kryen vepra dashurie, që burojnë nga Zoti.







All the contents on this site are copyrighted ©.