2006-05-07 17:16:38

Benedikti XVI shuguroi 15 meshtarë të rinj, të cilët i porositi: “Thirrja juaj është shërbim ndaj Zotit e njeriut e jo mjet për të bërë karrierë”. Në uratën e Mbretëreshës Qiellore, lutja e Papës për thirrjet meshtarake në Ditën botërore që u është kushtuar


( 07. 05. 06 R. V. )Meshtaria është shërbim ndaj Zotit e njerëzimit përmes Kryqit e dashurisë e kurrë mjet për të bërë karrierë : kështu u shpreh Benedikti XVI në Meshën për shugurimin e 15 meshtarëve të rinj. Në uratën e Mbretëreshës Qiellore Papa u lut për thirrje të begata në Kishë, në sa sot kremtohej edhe Dita botërore për thirrjet meshtarake.

 
Burra të shuguruar nga Zoti e në shërbim të Zotit nëpër rrugët e botës, njerëz që kanë në zemër dashurinë për Zotin e për njerëzimin e jo interesat e veta e karrierën. Ky është portreti i meshtarit - i pikturuar me dritën e thirrjes e hijet e ligështisë njerëzore nga Benedikti XVI në Meshën solemne, që e kryesoi sot paradite në Bazilikën e Shën Pjetrit, gjatë së cilës shuguroi 15 diakonë. Papa theksoi posaçërisht lidhjen ndërmjet meshtarit, figurës së bariut të mirë e botës së sotme të krishterë.
Kush është meshtari? Mik i Zotit e ekspert në humanitet. Bari, jo sipas vizionit të lashtë, i lidhur me tokën, por sipas vizonit modern; njeri i vetëdijshëm se është shuguruar nga Zoti e, ashtu si Zoti, e ndjek secilin nga ne, duke hyrë deri në shkretëtirat e në trazirat e shpirtit tonë.
Këtë theksoi Benedikti XVI në liturgjinë e sotme solemne – e dyta që kryeson pas shugurimit të 21 diakonëve në maj të vitit të kaluar. Ndërmjet bashkëkremtuesve ishte edhe kardinali Kamilo Ruini, vikar i Papës për qytetin e Romës, qytet që i dha kishës gjysmën e meshtarëve të rinj shuguruar sot, së bashku me një polak, një izraelit e një honduras. Para se t’u vinte duart mbi kokë, Ati i Shenjtë reflektoi mbi kuptimet e shumta që ka shëmbëlltyra e Bariut të Mirë, shpallur sot gjatë leximit të Ungjillit. Tri janë gjërat kryesore – nënvizoi Papa – që Jezusi thotë për bariun e mirë: ai jep jetën për delet e veta, i njeh e e njohin, është në shërbim të grigjës së bashkuar. Ati i Shenjtë u tërhoqi diakonëve vëmendjen që të ruhen nga një tundim i rrezikshëm: nga tundimi që mund t’i shtyjë të mos hyjnë nëpër derë në vathë të deleve, por të kërcejnë brënda prej tjetërkah, për të arritur, si cubi i shëmbëlltyrës, atje ku ligjërisht nuk mund të arrihet:
“Të kërcesh brënda - këtu mund të shihet edhe figura e karrierizmit, e përpjekjes për të arritur lart, për të zënë një post përmes Kishës; për t’u shërbyer e jo për të shërbyer. Është figura e njeriut që, përmes meshtarisë dëshiron të bëhet i rëndësishëm, të bëhet personalitet; figura e atij që kërkon të lartojë vetveten e jo t’i shërbejë përvujtërisht Jezu Krishtit. Të gjithë duhet ta kenë qartë se i vetmi lartim në detyrën e bariut, është lartimi në Kryq. Kjo është porta. Mos dëshironi t’i shërbeni vetes, por tjetrit e Krishtit”.
Këto ishin porositë kryesore, me vlerë të jashtëzakonshme përgjithësuese, që u dha Papa meshtarëve të rinj, ndërsa më pas vijoi të thellonte tre konceptet që kishte vënë në themel të reflektimit. U ndalua posaçërisht tek shërbimi i unitetit, i një grigje të vetme që, pavarësisht nga larmitë e kufizimet, të jetë shenjë e pranisë së Hyjit në botë, ku vetëm ai mund ta krijojnë një unitet të tillë.
Në përfundim të Meshës, Papa tha Lutjen e Mbretëreshës Qiellore, kushtuar kryesisht Ditës Botërore për thirrjet meshtarake, i ndjekur nga mijëra shtegtarë e besimtarë nga të katër anët e botës.







All the contents on this site are copyrighted ©.