2006-05-05 17:54:48

Papa takohet në Vatikan me Barroson: besim për Evropën, pavarësisht nga hijet


RealAudioMP3 ( 05. 05. 06 R. V. )Ardhmëria e institucioneve evropiane ishte në qendër të audiencës së sotme të Benediktit XVI me kryetarin e Komisionit evropian, Barroso.
Një shikim plot shpresë drejt së ardhmes së Evropës dhe rolit që mund të luajnë në tê të krishterët, pavarësisht nga vështirësitë aktuale. Ky është, thënë me dy fjalë, fryti i audiencës, në të cilën Papa Benedikti XVI priti Zhozè Barroson, kryetar i Komisionit evropian. Barroso – njofton një Komunikatë e Sallës së Shtypit të Vatikanit – foli kryesisht për gjendjen aktuale të Bashkimit Evropian, për sfidat që e presin dhe për perspektivat e së ardhmes. U theksua se, pavarësisht nga hijet, aktualisht të pranishme, procesi i integrimit dhe i fuqizimit të institucioneve evropiane – vijon nota – mund të shikohet me besim.
Në mënyrë të posaçme, gjatë 20 minutave të takimit privat në bibliotekën e Papës, bisedimi u përqëndrua tek “parakushtet ideale dhe tek impenjimet e solidaritetit, të nevojshme që një proces i tillë të mund të arrijë caqe të qëndrueshme si dhe tek kontributi që mund të japin të krishterët”.
Në përfundim të takimit privat, Barroso i dhuroi Papës një shtatore qeramike të Zojës së Fatimës, ndërsa Benedikti XVI, medalje të papnisë.
Më pas kryetari i Komisionit evropian u takua edhe me kryeipeshkvin Gjovani Lajolo, sekretar i Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet. Në përfundim të audiencës, kryetari Barroso u shpreh kështu në mikrofonin e Radio Vatikanit:
OS VALORES comuns….- Vlerat e përbashkëta janë demokracia, respektimi i Shtetit të së drejtës dhe i lirive themelore: që nga e drejta për jetën, tek e drejta për lirinë fetare, për lirinë e shprehjes; respektimi i të gjitha të drejtave të shoqërisë të lirë. Janë këto vlerat e përbashkëta. E duhet të pranojmë se, në të vërtetë, Kisha katolike e ka mbështetur gjithnjë integrimin evropian. Shumë nga etërit themelues të Evropës ishin katolikë e sot, pavarësisht nga fakti se institucionet janë laike, e vërteta është se duhet njohur kontributi që mendimi i krishterë i ka dhënë gjithnjë idesë evropiane. Pas këtij takimi me Benediktin XVI, që si kardinal ka shkruar shumë herë mbi Evropën e që është edhe vetë evropian i bindur, u inkurajova shumë nga fjalët plot besim që u folën për të ardhmen e Evropës.







All the contents on this site are copyrighted ©.