2006-05-04 18:29:20

Sot pasdite, në orën 17, Papa Benedikti XVI përshëndeti nga dritarja e studios së tij private, ish-rojet zvicerane, që organizuan “Marshimin përkujtimor” nga Belinzona në Romë për të kujtuar hyrjen e ushtarëve të parë helvetikë në Vatikan 500 vjet më parë.


( 04. 05. 06 R. V. )Ishte viti 1506 kur një grup ushtarësh helvetikë iu betua për besnikëri Papës Juli II, duke marrë edhe Bekimin e tij Apostolik.
Pikërisht këtë ngjarje kujtoi Papa Racinger gjatë përshëndetjes së tij në të trija gjuhët kryesore që fliten në Zvicër: italisht, gjermanisht e frëngjisht, duke ndjekur simbolikisht të dy marshimet: 1506- 2006 nga Zvicra, në Milano, Fidenca, Luka, Siena, Akuapendente, Romë, Sheshi i Shën Pjetrit, të cilin rojet e njohin shumë mirë. Për t’ju pritur – shtoi Ati i Shenjtë - asokohe kishte dalë Papa Juli II, emri i të cilit lidhet ngusht me Rojet zvicerane.
Më pas, duke përshëndetur në gjuhën gjermane, Ati i Shenjtë, shtoi hollësi të reja të historisë së themelimit të Rojes zvicerane, ndërsa në gjuhën frënge kujtoi faqen e rëndësishme të historisë së Kishës, që Rojet zvicerane e shkruan me gjak, duke mbrojtur Papën. Duke sintetizuar 500-vjet histori, Ati i Shenjtë falënderoi Zotin për shërbimin që i kanë bërë e vijojnë t’i bëjnë Selisë Apostolike Rojet zvicerane, përshëndeti posaçërisht Shoqatën e Rojeve veterane dhe u dha të gjithëve Bekimin e vet Apostolik.
Kremtimet për 500-vjetorin e themelimit të Rojës zvicerane u hapën mbrëmë në Sallën e Palit VI me një koncert të Bandës Ushtarake Zvicerane.
Sonte, në Kishën romake të Shën Injacit u shfaq legjenda muzikore dramatike “Nikolas Flu”, ndërsa nesër mbrëma, në Sallën e Palit VI do të mbahet ceremonia zyrtare e Jubileut të Rojes zvicerane
Së fundi, të shtunën paradite, në bazilikën e Shën Pjetrit Papa Benedikti XVI do të kryesojë për rojet e tij, Meshën në Bazilikën e Shën Pjertit, ndërsa pasdite do të bëhet betimi i rekrutëve të rinj.
Kremtimet do të mbyllen mbrëmjen e së shtundes me një festë fishekzjarresh e tingujsh muzikorë në Sheshin e Shën Pjetrit.








All the contents on this site are copyrighted ©.