2006-05-04 18:27:35

Duke shfletuar kalendarin e 4 majit, Kisha katolike përkujton Shën Florianin Martir


( 04. 05. 06 R.V. ) RealAudioMP3 Sipas tregimit mbi martirizimin e tij, Floriani ishte veteran romak që jetonte në Mantem, pranë Kremsit, në Austri. Kur filloi persekutimi i të krishterëve nën Dioklecianin, mori lajmin se në Lork ishin arrestuar 40 të krishterë. U nis menjëherë me dëshirën që të ndiqte gjurmët tyre. E kapën pa hyrë në qytet. Sapo dëshmoi se ishte i krishterë, e arrestuan menjëherë. E çuan para sundimtarit, i cili e urdhëroi të flijonte para hyjnive pagane. Me që Floriani nuk pranoi në asnjë mënyrë të gjunjëzohej para zotave të rremë, si e rrahën mizorisht me kamxhik, e flakën në lumin Enns me një gur mulliri të varur në qafë. Ishte data 4 maj e vitit 304. Trupi i shenjtit u gjet e u varros nga një grua e përshpirtshme me emrin Valeria. Mbi varrin e Florianit u ngrit një abaci e famshme benediktine, qendër e lulëzuar feje e kulture, e cila më pas u kaloi Kanonikëve Rregulltarë Lateranens, që vijojnë të kujdesen për të.
Në shekullin XII disa nga reliket e Shenjtit u mbartën në Krakovi, ku duka i Polonisë, Kazimiri ngriti mbi to një bazilikë madhështore.
Tregimi mbi martirizimin e Shën Florianit është vepër e Shën Ireneut, ipeshkëv i Smirnës, i cili shfrytëzoi një dokument më të vjetër, të kohës së martirizimit të shenjtit. Floriani u radhit në Martiriologun Jeronimian dhe në Martiriologun e Lionit. Më pas kaloi dhe në atë Romak, ku shënohet edhe data e kremtimit të festës së tij, 4 maji, datë tradicionale kur derdhi gjakun për Krishtin.
Simbolet e Martirit, emri i të cilit në Shqipëri ka marrë trajtën Lulash, janë palma e mokra e mullirit.







All the contents on this site are copyrighted ©.