2006-05-04 18:26:16

Benedikti XVI shpreh keqardhjen e tij të thellë për shugurimet pa mandat papnor të dy ipeshkvijve në Kinë: plagë e rëndë për unitetin e Kishës dhe shkelje e rëndë e lirisë fetare


( 04. 05. 06 R. V. ) RealAudioMP3 Papa Benedikti XVI shpreh keqardhjen e tij të thellë për shugurimet pa mandat papnor të dy ipeshkvijve në Kinë.
Intervistë me doktor Joakuin Navarro-Valls:
Papa mori, me keqardhje të thellë, lajmin mbi shugurimin ipeshkvnor pa mandat papnor, të dy meshtarëve në Kinën kontinentale. Ngjarja ka ndodhur pak ditë më parë. Kështu shkruhet në një deklaratë, që u publikua sot nga drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Joakuin Navarro-Valls.
Është fjala për një plagë të rëndë që i hapet unitetit të Kishës – pohon nota – duke sqaruar se në raste të tilla parashikohen masa të ashpra ndeshkimore kanonike, ndërmjet të cilave, skomunikimi apo shkishërimi, si për ata që shugurojnë pa mandat papnor, ashtu edhe për ata që shugurohen. (Neni 1382 i Kodit të së drejtës Kanonike). Deklarata flet për shugurimin ipeshkvnor të meshtarëve Jozef Ma Yinglin dhe Jozef Liu Xinhong, përkatësisht më 30 prillin e kaluar në Kunming (në provincën e Junanit) dhe më 3 maj në Vuhu (në provincën e Anhui). Por, ta dëgjojmë vetë drejtorin e Sallës së Shtypit, Navarro–Valls, në mikrofonin e Radios sonë:
“Sipas njoftimeve që kemi marrë, ipeshkvijtë dhe meshtarët i janë nënshtruar – nga ana e organizmave jashtë Kishe-presioneve të forta dhe kërcënimeve, për t’i detyruar të merrnin pjesë në shugurimet ipeshkvnore të cilat, pa mandat papnor, janë të paligjshme e, veç kësaj, edhe në kundërshtim me ndërgjegjën e tyre. Shumë prelatë kanë protestuar kundër këtyre presioneve, ndërsa të tjerët janë detyruar, me dhimbje të thellë shpirtërore, të marrin pjesë në shugurimin e paligjshëm. Jemi para një shkeljeje të rëndë të lirisë fetare, pavarësisht nga pretekstet e përdorura me këtë rast, duke e paraqitur ngjarjen si përpjekje për t’u siguruar ipeshkvij selive vakante.
Selia e Shenjtë –vijon nota – ndjek me vëmendje rrugën e mundimshme të Kishës katolike në Kinë e, pavarësisht nga disa veçanti të kësaj rruge, mendonte e shpresonte se episode të tilla të dënueshme, i përkisnin tashmë së kaluarës. Ajo e konsideron si detyrë të ngrejë zërin për të bërë të njohur vuajtjen e mbarë Kishës katolike, posaçërisht të bashkësisë katolike në Kinë, të ipeshkvijve e meshtarëve të kësaj Kishe që detyrohen, në kundërshtim me vullnetin e tyre, të marrin pjesë në shugurime ipeshkvnore pa mandat papnor.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.