2006-05-03 16:40:33

Thirrje e Papës Benedikti XVI: “Ortodoksët dhe katolikët të bashkëpunojnë me guxim për ungjillëzimin e Evropës”


( 03. 05. 06 R. V. )“Ortodoksët dhe katolikët të bashkëpunojnë me guxim për ungjillëzimin e Evropës”: kështu shprehet Papa Benedikti XVI në një mesazh me rastin e takimit të parë të kulturës në Evropë, organizuar nga Selia e Shenjtë në bashkëpunim me Patriarkanën e Moskës.
Simpoziumi me temë “T’i jepet shpirt Evropës. Misioni dhe përgjegjësia e Kishave”, që filloi sot në Vjenë, do të vijojë deri më 5 majin e ardhshëm.
Takimin, në të cilin marrin pjesë specialistë nga mbarë Kontinenti, laikë e rregulltarë, të zgjedhur bashkarisht nga të dy organizmat, e hapi kardinali Pupard, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës, i cili kujtoi sfidat e panumërta që duhet të përballojnë katolikët dhe ortodoksët për t’i dhënë një shpirt Evropës, ku sot sundon relativizmi moral e skepticizmi.
Duke vijuar të flasë për një shoqëri gjithnjë më shumë pa Zot e pa shpirt – Hirësia e Tij citoi fjalët e Nënës sonë Terezë: “Për t’i dhënë Evropës një shpirt, një ideal, duhet të rinisemi nga dëshmimi konkret i Ungjillit të dashurisë e të gëzimit, që nuk e kufizon fenë e Krishtit në një moralizëm të ngurtë”. 







All the contents on this site are copyrighted ©.