2006-05-03 16:37:13

Papa, në audiencën e përgjithshme, vijon katekizmin mbi Traditën apostolike dhe i fton besimtarët të luten për udhëtimin e tij në Poloni


(03. 05. 06 R. V. ) RealAudioMP3 Sot, në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, Papa Benedikti XVI shpjegoi domethënien e traditës apostolike që në zanafillën e krishterimit.
Ati i Shenjtë u rikthye tek një temë tepër e rëndësishme për jetën e Kishës, tek tema e traditës apostolike, për të cilën foli edhe të mërkurën e kaluar, pikërisht për të sqaruar “ç’është Kisha”:
“Në këtë katekizëm, duam të kuptojmë ç’është Kisha. Herën e fundit medituam mbi temën e traditës. Pamë se tradita nuk është si një koleksion gjërash, fjalësh, si një kuti sendesh të vdekura; tradita është lumi i jetës që vjen nga zanafilla, nga Krishti, deri tek ne e që na përfshin në historinë e Zotit me njerëzimin”.
Ati i Shenjtë vijoi të shtjellojë, përballë 60 mijë besimtarëve mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për të ndjekur katekizmin, temën e filluar prej kohe, posaçërisht të dashur për të: foli për traditën në strukturën e fesë Tradita – tha Ati i Shenjtë - është Ungjilli i gjallë, i predikuar nga Apostujt në tërësinë e tij, mbi bazën e përvojës së tyre të plotë, të pashembullt e të papërsëritshme. Përmes veprimtarisë së tyre feja iu komunikua të tjerëve, na komunikohet neve e do të vijojë të komunikohet deri në fund të botës.
Papa vijoi reflektimin mbi traditën apostolike duke theksuar se doktrina e Kishës mbi vazhdimësinë apostolike e prej këndej, mbi veprimin e Kishës në histori, duhet respektuar plotësisht. Tradita – nënvizoi Benedikti XVI – është historia e Shpirtit Shenjt që vepron në historinë e Kishës me ndërmjetësinë e apostujve dhe pasardhësve të tyre, të cilët e vijonë besnikërisht përvojën e zanafillës.
Më pas Papa, duke cituar dëshminë e Shën Klementit Romak, shpjegoi edhe domethënien e trashëgimisë apostolike lidhur me diskutimet e brëndshme të Kishës Nga fundi i shekullit I, Shën Klementi Romak - vërejti Ati i Shenjtë – shkroi: “Apostujt na e predikuan Ungjillin, të dërguar nga Zoti ynë Jezu Krishti; Jezu Krishti u dërgua nga Hyji. Krishti, pra, vjen nga Hyji; Apostujt, nga Krishti: që të dyja palët bëjnë vullnesën e Hyjit. Apostujt tanë mësuan nga Zoti ynë Jezu Krishti, se do të lindnin diskutime lidhur me rolin e ipeshkvijve. Prandaj, duke e parashikuar përsosurisht të ardhmen, caktuan të zgjedhurit e u dhanë urdhën të vepronin në mënyrë që, pas vdekjes, të linin pas njerëz të tjerë për ta vijuar shërbimin e tyre.
Prej këndej kuptohet qartë se mandatin, të cilin ua dha Jezusi, Apostujt ua transmetuan pasardhësve të tyre. Këtë e tregon edhe vetë kuptimi i fjalës apostull që vjen nga greqishtja ‘aposte’llein’ e që do të thotë “të dërgosh”. Në këtë kuptim - shpjegoi Benedikti XVI - dërgimi apostolik përfshin shërbimin baritor (predikoni Ungjillin të gjithë njerëzve), liturgjik (duke pagëzuar) e profetik (duke u mësuar atyre t’i venë në jetë të gjitha urdhërimet që ju kam dhënë), të garantuar nga prania e vetë Zotit deri në mbarim të kohës (ja, unë jam me ju në të gjitha ditët, deri në mbarim të botës) . Përmes shërbimit apostolik, Krishti vetë takohet me njeriun e thirrur për të ecur në rrugën e fesë:
“Distanca e shekujve është kapërcyer: Krishti i Ngjallur jeton e vepron ndërmjet nesh, në të sotmen e Kishës e të botës; e ky është gëzimi ynë i madh: që në lumin e gjallë të traditës, Krishti nuk është dymijë vjet larg nesh, por është vërtetë gjithnjë me ne e na dhuron të vërtetën, na dhuron dritën, e cila na jep jetë e na ndihmon të gjejmë rrugën drejt ardhmërisë”.
Në përfundim, duke iu drejtuar shtegtarëve të shumtë polakë të pranishëm në audiencë, Papa ia besoi lutjes së tyre përgatitjet për shtegtimin apostolik që do të bëjë në Poloni nga 25 deri më 28 maj. Ishin 6 mijë, polakët e pranishëm në audiencën e sotme të Papës, në ditën kur – theksoi Ati i Shenjtë duke i përshëndetur në gjuhën e tyre - Kisha kremton solemnitetin e Nënës së Hyjit, Mbretëreshës së Polonisë. Kujtojmë se gjatë vizitës në atdheun e Gjon Palit II, Papa Racinger do të vizitojë Varshavën, Çestokovën, Krakovinë, Vadovicen, Kalvaria-Zebrydovskën dhe Aushvic-Birkenaun. 







All the contents on this site are copyrighted ©.