“Dobësia e familjes është faktori kryesor që rrezikon breznitë e reja”: studiues nga
mbarë bota, të thirrur nga Akademia Papnore e Shkencave, analizuan për pesë ditë me
radhë këtë fenomen shqetësues
( 02. 05. 06 R. V. )‘Rini që zhduket? Solidaritet me të rinjtë dhe fëmijët në një
epokë të trazuar’. Rreth kësaj teme u shkëmbyen mendime në asamblenë e 12-të
plenare Akademisë Papnore për Shkencat Shoqërore, që përfundoi sot në Vatikan. Me
këtë rast sot në sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë u mbajt një konferencë shtypi,
gjatë së cilës foli Meri Ejn Glendon, profesoreshë e së Drejtës pranë Universitetit
të Harvardit, në SHBA dhe kryetare e Akademisë Papnore. Kryetarja e Akademisë
nënvizoi se përfundimet e plenares përbëjnë një ndihmesë të çmuar për magjisterin
e Kishës, duke pasur parasysh se është hera e parë që vihet me kaq forcë theksi mbi
situatën e sotme të të rinjve. Ideja kryesore e kësaj asambleje ishte t’i shprehte
solidaritetin fëmijëve dhe të rinjve të mbarë botës në një epokë të trazuar si kjo
e sotmja, në të cilën të rinjtë tronditen nga kriza shoqërore dhe ekonomike, nga humbja
e identitetit e mbi të gjitha – siç nënvizon Benedikti XVI në mesazhin e tij drejtuar
Akademisë - “janë shpesh të parët që vuajnë pasojat e zhdukjes së dashurisë e të
shpresës”. Në 30 referatet e paraqitura – vërejti profesoresha Glendon – e duhet
të kujtojmë se Akademia ka edhe anëtarë jo katolikë – u thelluan shumë probleme, kryesisht
ato që kanë të bëjnë me shtypjen dhe shfrytëzimin e fëmijëve e pastaj me dimrin demografik,
me fenomenin që tashmë njihet me emrin “djepat e zbrazur”. U fol edhe për paaftësinë
e të rriturve për të qenë prindër të vërtetë, për adoleshencën e zgjatur dhe për zbraztësinë
shpirtërore që ndjejnë shpesh herë të rinjtë. Janë probleme, zgjidhja e të cilave
nuk është aspak e lehtë – theksoi profesoresha Glendon – por – shtoi ajo - nuk duhet
harruar se të rinjtë janë plot shpresa, aq sa mund të themi se nuk mbartin në vetvete
vetëm probleme, por edhe zgjidhjen e këtyre problemeve, duke mbetur gjithnjë pasuria
më e madhe që ka çdo shoqëri. Në përfundim të Asamblesë, mbi bazën e materialeve
të paraqitura gjatë punimeve, disa nga dikasteret papnore do të hartojnë dokumentin
përfundimtar, duke përmbledhur në të problemet dhe rrugëzgjidhjet e mundshme. Ndihmohet
kështu Kisha në misionin e saj për të dhënë dëshmi të humanizmit të vërtetë, të ndriçuar
nga Ungjilli.