Në fillim të muajit marian, reflektim i kryeipeshkvit Komastri kushtuar Virgjërës
Mari, Nënë e Mësuese e të krishterëve
( 02. 05. 06 R. V. )Filloi dje muaji i majit e, kur thuhet maj, mendja të shkon
menjëherë te Zoja e Bekuar. Maji është muaji që i kushtohet Zojës, është koha
e bashkimit më të ngushtë me Nënën e ne të gjithëve, e cila na prin tek Jezusi. Ftuam
kryeipeshkvin Angjelo Komastri, vikar i Papës për Shtetin e Qytetit të Vatikanit,
që të na flasë për veçantinëe këtij muaji: - Muaji i majit,
vetvetiu, i është kushtuar Zojës, sepse është muaji i bukurisë, muaji i shpërthimit
të jetës e asnjë krijesë nuk është më e bukur se Maria; asnjë krijesë nuk i ka kënduar
jetës si Maria. Prandaj muaji i majit është muaj marian. - Cilat
janë elementet kryesore të muajit marian?
- Besoj se çasti më i rëndësishëm
i muajit maj duhet të jetë ai i rizbulimit të lutjes mariane e posaçërisht i thënies
së Rruzares në shtëpi, në gjirin e familjes. Mund të themi se dikur Rruzarja ishte
një element i domosdoshëm për jetën e përditshme të familjes së krishterë. Duke kujtuar
fëmijërinë time, nuk mund të mos sjell ndër mend edhe se çdo mbrëmje familja ime kishte
në qëndër të vëmendjes Rruzaren Shenjte. Me të përfundonte çdo ditë. Prandaj ne, që
s’kishim televizor, ndjeheshim mrekullisht të lum në muzg, sepse ishim përplot me
Zotin, në sa i luteshim së bashku me Marinë.
- Shkelqësi, ç’ këshill i
jepni dëgjuesve tanë për ta thënë sa më mirë Rruzaren Shenjte?
- Për ta
thënë mirë Rruzaren është e nevojshme që në shtëpi të ndjehet atmosfera e lutjes.
Lutja nuk vjen vetvetiu. Në se në shtëpi ndjehet fryma e fesë, është e lehtë të krijohen
kushtet e nevojshme për të thënë me gjithë zemër Ruzaren. Para së gjithash duhet që
të mblidhen të gjithë së bashku, babai, nëna, bijtë e bijat e në se janë, edhe gjyshi
e gjyshja, sepse Rruzarja është e bukur, kur e thotë gjithë familja së bashku, kur
luten të gjithë një zëri. Duke thënë së bashku Rruzaren, ndjehet zëri i popullit të
Zotit, familja bëhet një gjë e vetme me të, ndjen misterin e Jezusit të pranishën
në mes të atyre që janë mbledhur në emër të Tij.
Ju kohët e fundit keni
shkruar, madje më duket se është vepra juaj e fundit, një libër titulluar “Zoja nuk
është optional", keni përdorur këtë fjalë angleze, që don me thënë nuk është diçka
fakultative, që nuk jemi të detyruar ta zgjedhim, që mund të zgjidhet ose jo. Ç’mesazh
doni të transmetoni?
- Me këtë libër shumë të thjeshtë dëshiroj t’i bëj
njerëzit të kuptojnë se devocioni ndaj Zojës së Bekuar nuk është një shpikje e Kishës.
Devocioni për Zojën e Bekuar lind nga vetë historia e shëlbimit, është vepër e vetë
Zotit. Shën Luka ungjilltar i paraprin tregimit mbi Lajmërimin e Zojës me disa fjalë,
që kanë një kuptim jashtzakonisht vendimtar. Thotë Ungjilltari: “Engjëlli Gabriel
qe dërguar nga Zoti në një qytet të Galilesë, të quejtun Nazareth, tek një virgjër
me emrin Mari”. Kjo shtesë ka rëndësi vendimtare: na tregon se është Zoti ai që e
dërgoi Engjullin. Prej këndej, edhe se është Zoti ai që e zgjodhi Marinë. Ishte Zoti
ai që trokiste te porta e zemrës së Marisë; kjo portë u hap dy kanatash përpara Hyjit
e që atë ças Maria u bë bashkëpunëtorja më e madhe në planin e shëlbimit. Maria është
vazhdimsht pranë Jezusit, nuk ndahet kurrë nga ai. Në se ndahet Biri nga Nëna ose
Nëna nga Biri, bëhet diçka që është kundër zgjedhjes së Zotit.