2006-05-02 17:25:51

Ngushëllimet e Papës për vdekjen e kardinalit argjentinas Raul Francisko Primatesta


(02. 05. 06 R. V. ) RealAudioMP3 Sot në Kordobë të Argjentinës, pas një sëmundjeje të rëndë kardiovaskolare vdiq kryeipeshkvi i nderit i këtij qyteti, kardinali Raul Françisko Primatesta.
Në telegramin drejtuar kryeipeshkvit aktual të Kordobës, Papa Benedikti XVI kujton kardinalin e vdekur në moshën 87 vjeçare, duke nënvizuar vetmohimin e tij në veprimtarinë baritore në shërbim të besimtarëve dhe të atdheut të tij.
Kardinali i ndjerë lindi në Kapila del Senior, kryedioqezë e La Platës, më 1919. U shugurua meshtar më 25 tetor 1942 në Kishën e Jezusit në Romë, për t’u rikthyer më pas në Argjentinë, ku shërbeu si rektor i Seminarit të vogël të La Platës dhe drejtor i shoqatës argjentinase të profesorëve të Shkrimit Shenjt. Piu XII e emëroi kryeipeshkëv të La Platës, ndërsa Gjoni XXIII e caktoi anëtar të Komisionit përgatitor të Koncilit II të Vatikanit. Luajti një rol të rëndësishëm si në përgatitjen e Koncilit, ashtu edhe në zbatimin e direktivave konciliare për forcimin e unitetit të Kishës. Në situatën e vështirë shoqëroro-ekonomike të vendit të vet, bëri të ndjehej fuqimisht zëri dhe forca shpirtërore e Kishës në fushën e kulturës dhe në botën punës. Ishte kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Argjentinës. U krijua kardinal nga Papa Pali VI në koncitorin e 5 marsit 1973. Me vdekjen e tij Kisha universale humbet një personalitet që e vuri me vetmohim gjithë jetën në shërbim të Krishtit e të Kishës së Tij si dhe të Kombit argjentinas.







All the contents on this site are copyrighted ©.